Maqedoni

Arsyeja e vdekjes së trinjakëve, MSh: Nuk është mungesa e inkubatorëve

24.08.2017 13:01

Ministri i Shëndetësisë është takuar sot me drejtoreshën e Klinikës për gjinekologji dhe akusheri, Viktoria Jovanovska, për t’u njohur më hollësisht me rastin e vdekjes së tre foshnjave në këtë klinikë....

Gjatë këtij takimi Taravari është njoftuar se nëna 21 vjeçare e kishte shtatzëninë e parë me trinjakët, shtatzëni kjo e arritur përmes fertilizimit In Vitro dhe në rrezik të lartë për shkak të diabetit gjenetik dhe hipertenisonit.
 
Sipas njoftimit të ministrisë, pacientja tre herë është hospitalizuar në klinikën në Tetovë me gjakderdhje. Lindja është ndërprerë në mënyrë operacionale, foshnjat janë marrë nga ekipi i pediatërve dhe akusherëve, e ndaj tyre është kryer reanimacioni primar dhe janë vendosur në inkubatorë në repartin për kujdes intensiv të të porsalindurve. Me këtë demantohen në tërësi pohimet e disa mediave se nuk ka pasur as përkujdesje për foshnjat dhe se as nuk janë vendosur në inkubatorë, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
 
Ata kanë marrë të gjithë përkujdesin e nevojshëm sipas të gjitha protokolleve mjekësore. Me familjarë edhe më herët është biseduar për rrezikun e shtatzënisë dhe me gjithë përpjekjet, për fat të keq, foshnjat nuk arritën të mbijetojnë. Gjithsesi, nga Ministria e resorit thonë se komisionet hetimore për rastin nëse konstatojnë parregullsi në trajtimin e foshnjave, do të ndërmarrin masa urgjente, sipas ligjit.
 
Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet për përmirësimin e kushteve në spitale, veçanërisht për të sapolindurit dhe fëmijët, duke investuar në pajisje bashkëkohore dhe profesionalizimin e mëtejmë të kuadrit shëndetësor, thuhet në njoftim.
 
AMIR DURAKU