Botë

Roterdam, alarmi për sulm terrorist - frikë para kohe

24.08.2017 16:01

Ka rezultuar alarm i rremë për sulm terrorist gjetja e një furgoni të mbushur me bombola gazi që vuri në alarm autoritetet e qytetit holandez të Roterdamit...

Pas verifikimeve të imtësishme u arrit në përfundimin se shoferi i mikrobusit me targa spanjolle është një mekanik që bombolat i mban me vete si pjesë të punës së tij. Burri ishte i dehur kur u ndalua nga policia.
 
“Ky është rasti ideal për të thënë person i gabuar në vendin e gabuar, si dhe efektivë policie që bënë me zotësi punën e tyre”- theksoi zëdhënësi i Policisë së Roterdamit, Frank Paauw.
 
Kontrollet vazhduan, e për rrjedhojë një 22-vjeçari holandez, rezident në Zevenbergen, ka përfunduar në pranga. Zyrtarët holandezë të sigurisë u vunë në alarm pas sinjalizimit të kolegëve të tyre, gjë që solli anulimin e një koncerti rock të grupit amerikan “Allah-Las”, të kërcënuar jo pak herë për shkak të emrit të tij. Grupi duhej të performonte në “The Maassilo”, por në momentin e fundit u vendos që shfaqja të mos mbahej.
 
Episodi vjen në mesin e një ndjesie të mprehtë alarmi që kanë ngjallur në Europë sulmet e javës së kaluar në Katalunjë. Burime pranë hetimit, megjithatë, i thanë Agjencisë së lajmeve “Reuters” se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ngjarjeve në Barcelonë e Cambrils dhe informacionit të autoriteteve spanjolle, që thuhet të jetë rezultat i disa verifikimeve të zgjatura në kohë. Ekspertët mendojnë se sulmet e militantëve të ISIS-it në kontinentin e vjetër janë më të çorientuara dhe se grupi ekstremist po mbështetet tani mbi celula amatorësh.