BDI-VMRO

VMRO dhe BDI merren vesh për postet

11.06.2014 18:51

Partnerët e koalicionit të ri qeveritar, kanë arritur marrëveshje edhe për udhëheqjen me drejtoritë dhe ndërmarrjet tjera publike të Shtetit……….

Partnerët e koalicionit të ri qeveritar, kanë arritur marrëveshje edhe për udhëheqjen me drejtoritë dhe ndërmarrjet tjera publike të Shtetit. Pas marrëveshjes për udhëheqjen me Ministritë, mediat elektronike në vend, jozyrtarisht shkruajnë se partitë fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 prillit, VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë arritur edhe marrëveshje se kuadrot e cilës parti do të udhëheqin edhe me ndërmarrjet publike dhe institucionet tjera shtetërore.

Sipas burimeve të këtyre mediave, BDI përveç Ministrive, po ashtu do të ketë edhe katër zëvendësministra dhe pesë sekretarë shtetëror. Ndërsa nga ndërmarrjet tjerë më të rëndësishme shtetërore, do të udhëheq me Aeroportet e Maqedonisë, Agjencionin për Investime të Huaja, Agjencionin për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Agjencionin për Rezervat Shtetërore, me Bankën e Maqedonisë për Zhvillim, me Byron për Zhvillim Rajonal, por edhe me Fondin e Shëndetësisë dhe Postat e Maqedonisë.

BDI po ashtu do të vazhdojë të udhëheq me Galerinë Nacionale në Shkup, por edhe me disa inspektorate si: Inspektorati për Pylltari dhe Gjueti, Inspektorati Devizor, Inspektoratin e Punës, atë të Transporti, por edhe me Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor dhe Inspektoratin Teknik.

Ndër të tjera, kuadro të BDI-së do të menaxhojnë edhe me Institutin Albanologjik në Shkup dhe Institutin për Shëndet Publik.

Nga ndërmarrjet Publike, integristët do të udhëheqin me Hekurudhat e Maqedonisë, Kullosat e Maqedonisë, Ndërmarrjen Publike për Menaxhim me Objektet Sportive, me Rrugët e Maqedonisë dhe Parkun Nacional “Pelister”.

Kuadrot e BDI-së do të udhëheqin edhe Qendrat Nacionale për Konzervim në Shkup dhe Gostivar dhe me Qendrën për Arsim të Mesëm Profesional, Qendrën për Menaxhim me Kriza, Qendrën Shtetërore për Provime, por edhe me Shtëpinë Përkujtimore, “Nëna Terezë”, Teatrin për të Rinj dhe të Rritur dhe Teatrin Shqiptar në Shkup dhe institucione tjera.

Kuvendi i Maqedonisë pritet që udhëheqësinë e re qeveritare ta miratojë më 19 qershor. (MEFAIL ISMAILI, TVM2)