Botë
Sërish dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës, polemika të ashpra mes Kurtit e Veselit
24.08.2017 16:46
Polemika me tone të ashpra mes Albin Kurtit nga Vetëvendosje dhe Kadri Veselit nga PDK....

Polemika me tone të ashpra mes Albin Kurtit nga Vetëvendosje dhe Kadri Veselit nga PDK në vazhdimin e seancës konstituive të kuvendit të Kosovës, e cila sërish përfundoi pa zgjedhjen e kryeparlamentarit, pasi koalicioni PAN nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Fillimisht, Kurti tha se krijimin e institucioneve po e pengojnë për interesa të ngushta dy persona, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, por, siç tha ai, qeverinë do ta formojë Vetëvendosje.
“Kurrë kriminelët nuk kanë qenë më të izoluar, Shqipëria zyrtare nuk është me ta, Amerika zyrtare nuk është me ta, Gjermania zyrtare nuk është me ta, ata i mbështet vetëm Vuçiçi e Gruevski. Por, ky i fundit nuk është më në pushtet. Ne po vijmë qartazi, këta po shkojnë, disa si mjegulla e disa si terri, ne jemi gjithnjë e më afër qeverisjes”,- deklaroi Albin Kurti nga Vetëvendosje.
Por, në reagimin e tij kreu i PDK-së, Kadri Veseli, vlerësoi se një qeveri e krijuar nga Vetëvendosje nuk do t’i sjell asgjë të mirë Kosovës.
“Ju mund të bëni shantazh ku të doni, por e keni parasysh me neve nuk ju shitet, me mua veçanërisht! Mos manipuloni me qytetarin, nuk u kemi borxh njerëzve që nuk kanë bërë asgjë për atdheun, nuk ka pasur gjë më të rëndë për mua se sa si deputet, edhe unë një ditë kam luftuar, me ardhur puna disa si unë kur jam rrit kanë jetuar në edukatën që se kanë njohur as se kanë dashur Republikën e Kosovës, i kanë fut familjarët tanë në burg, me ardh puna me ma nxjerr flamurin prej xhepit. E unë çka jam, tradhtar, ju çka jeni tradhtarë, po sikur lista serbe ta nxjerrë flamurin e Serbisë?”,- u shpreh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
“Njerëzit si Veseli nuk ka nevojë t’i pyesësh se e thonë vet, ju e pat se si flamurin kombëtar shqiptar e barazoj me flamurin e Republikës së Serbisë”,- tha Kurti.
“Bëni çfarë të doni, por e zeza e Kosovës do të mbeteni. Keni parasysh se jeni t’u manipulu”,- theksoi Veseli.
Kualicioni PAN shpresat për sigurimin e 61 deputetëve i mban te AKR e Bexhet Pacollit, e cila ishte në kualicion parazgjedhor me LDK-në. Menjëher pas përfundimit të seancës së sotme disa media në Prishtinë njoftuan se seanca e rradhës do të mbahet më 7 shtator, dhe se deri atëherë do të jetë arritur marrveshja për kualicion mes PAN dhe AKR-së.Njëri nga deputetët e kësaj të fundit Labinot Tahiri, në një postim në rrjetet sociale e ka bërë të ditur votën e tij pro zgjedhjes së Ramush Haradinajt për kryeminsitër të Kosovës.
GYLTENE SINANI
