Zgjedhjet lokale në prag, partitë diskutojnë kandidaturat e fundit
Vazhdon gara e brendshme e partive politike për caktimin e kandidatëve për kryetar komunash në zgjedhjet vendore të cilat do të mbahen më 15 tetor...

Ende nuk dihen emrat zyrtarë, megjithëse spekulohet për kandidatë të mundshëm nga të gjitha partitë. Të sigurtë për momentin janë vetëm dy kandidatë të BDI-së. Integristët kanë vendosur që në Çair të kandidojnë zëvendësministri i Arsimit, Visar Ganiu.
Në Kërçovë sërish Fatmir Dehari do të garojë edhe për një tjetër kandidaturë, pas marrjes së besimit unanim nga të gjithë 35 këshillave vendore dhe forumeve tjera partiake lokale. Jozyrtarisht, edhe një mandat do të kërkojnë Teuta Arifi në Tetovë dhe Nevzat Bejta në Gostivar, por kjo ende pritet të konfirmohet nga selia blu. Edhe pse lufta për karrigen e parë të Kërçovës, marrë parasysh zgjedhjet e kaluara, do të kërkojë angazhimin e bashkuar të votës shqiptare, duket se sërish do të ketë garë brendashqiptare për këtë post.
Lëvizja “Besa” për Komunën e Kërçovës do të mbështesë një kandidat të pavarur, edhe pse ende nuk e bëjnë publike emrin e tij. Lideri i “Besës”, Bilall Kasami, jozyrtarisht është kandidati më real për komunën e Tetovës. Gjithsesi, vendimi i fundit u takon strukturave të larta të Lëvizjes “Besa”.
LR-PDSh do të diskutojë emrat në takimin e rregullt të kryesisë të premten. Emrat e kandidatëve potencialë për kryetarë komunash po diskutohen edhe në PDSh. Edhe LSDM këto ditë pritet të përmbyllë listat e kandidatëve e t’i bëjë publike për opinionin emrat zyrtarë. Katër kandidatë e kanë të sigurt nominimin, për të tjerët ende po bëhen analiza në parti.
Edhe VMRO i ka bërë publike tashmë emrat e pesë kandidatëve të sigurtë, në ditët në vijim priten emrat e tjerë. Listat e kandidatëve në garë për karriget e para të komunave dhe të këshillave zgjedhorë duhet të dorëzohen në KShZ deri më 14 shtator. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 tetorit fillon më 25 shtator.
