Maqedoni

Dhuna në Kuvend, deklarata e Zhivaleviqit, akuza VMRO - LSDM

24.08.2017 17:28

Deklarata e agjentit serb, Goran Zhivaleviq, se ka qenë i pranishëm në Kuvend pas detyrës zyrtare që të shohë se në incident...

Deklarata e agjentit serb, Goran Zhivaleviq, se ka qenë i pranishëm në Kuvend pas detyrës zyrtare që të shohë se në incident a kanë marrë pjesë edhe persona nga Serbia, tifozë ose ekstremistë, por për këtë kanë pasur njohuri autoritetet e vendit, ka përplasur dy partitë më të mëdha maqedonase.
 
VMRO kërkon të bëhet publik dokumenti dhe institucioni  që i paska dhënë leje Zhivaleviqit.
 
“VMRO-DPMNE disa herë kemi kumtuar se as MPJ, as Qeveria, as parlamenti, as MPB ose Agjencia e Inteligjencës nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe aq më tepër të kenë dhënë leje apo pëlqim për diçka të tillë”,- thonë nga VMRO.
 
Por, LSDM konsideron se deklaratat e dhëna nga vetë agjenti serb konfirmojnë se pas zhvillimeve të 27 prillit qëndron VMRO-DPMNE-ja dhe kryetari i saj, Nikolla Gruevski.
 
“Deklaratat e publikuara tregojnë se në kundërshtim me interesat nacionale dhe shtetërore të Republikës së Maqedonisë, në kundërshtim me interesat e qytetarëve, struktura të pushtetit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, në institucione, kanë lejuar agjentë të huaj të hyjnë në Kuvend”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
Nga partia e Zaevit thonë se do të kërkohet përgjegjësi ndaj të gjithëve që ishin pjesëmarrës në dhunën në Kuvend, si edhe për të gjitha keqbërjet e porositura dhe të realizuara nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së.
 
GAZMEND REXHEPI