Maqedoni
VMRO: LSD përmes PPS-së frikëson KShZ-në dhe GjA-në
24.08.2017 18:07
VMRO-DPMNE akuzon PPS-në se me përfshirjen e dy anëtarëve të KShZ-së dhe pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative në lëndët e saj...

VMRO-DPMNE akuzon PPS-në se me përfshirjen e dy anëtarëve të KShZ-së dhe pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative në lëndët e saj se po përzihet në zgjedhjet lokale. Sipas VMRO-DPMNE-së, PPS këtë e bën për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, në interes të LSDM-së.
“PPS, pa asnjë argument në lëndët, me tendencë përfshiu dy anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pesë gjykatës të Gjykatës Administrative. Pikërisht, Gjykata Administrative duhet të vendos për ankesat rreth procesit zgjedhor dhe në këtë mënyrë, përmes PPS-së, LSDM përcjell mesazh dhe i frikëson gjykatësit të cilët do të vendosnin, por edhe e kufizon numrin e gjykatësve që do të procedojnë”,- deklaroi Orce Gjorgjieski nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, KShZ është institucioni i cili vendos për ankesat e partive për parregullsi zgjedhore dhe nëse diku duhet të rivotohet, prandaj, VMRO akuzon LSDM-në dhe PPS-në se po përpiqen të vënë nën kontroll edhe këtë institucion.
“Me vënien nën kontroll të KShZ-së dhe Gjykatës Administrative, PPS/LSDM-së, i hapet rruga që të kurdis zgjedhjet”, - tha Gjorgjieski.
Ndryshe, në përgjimet e paligjshme, të cilat i publikoi kreu i LSDM-së në të ashtuquajturat “bomba”, zyrtarë të lartë të qeverisë së kaluar dakordonin kurdisje rezultatesh përmes vendimeve politike të anëtarëve të KShZ-së dhe përmes gjykimit në Gjykatën Administrative, siç ishte rasti me Dollnenin, Çairin, Strumicën dhe komunën Qendër.
Indicet për krim zgjedhor që burojnë nga përgjimet e paligjshme janë nën kompetencë të Prokurorisë Publike për ndjekje të veprave penale që kanë të bëjnë dhe që burojnë nga përgjimet e paligjshme.
SHPËTIM NUREDINI
