Botë
Zvicër, 14 të zhdukur pas rrëshqitjes masive të dheut
25.08.2017 12:50
14 persona rezultojnë ende të zhdukur që nga nata e së mërkurës, pas rrëshqitjes së dheut në një luginë të thellë malore në Zvicër...

Pavarësisht kërkimeve intensive, ku është përfshirë edhe një helikopter ushtarak me “sensorë” termalë, kamera me rreze infra të kuqe e qen nuhatës ende nuk po munden të gjejnë se ku janë të zhdukurit që mendohet se janë alpinistë. Tetë persona janë shpallur të humbur nga familjarët. Përveç grupit të parë, edhe një tjetër grup prej gjashtë personash rezultonte gjithashtu i humbur, edhe pse nuk është e qartë nëse këta individë gjendeshin në zonë kur ndodhi rrëshqitja e dheut.
“Tetë persona janë shpallur të humbur që dje, ata janë nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Ekipet ende po kërkojë të gjithë zonën. Pos është një terren i rrezikshëm. Ka edhe një grup tjetër që i konsiderojmë të zhdukur, janë gjashtë persona, por nuk kemi më shumë të dhëna për ta”,- theksoi zëdhënësi i Policisë në Grisons, Roman Rüegg.
“E kemi ndarë zonën në disa sektorë, banorët e zonës së gjelbër janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, por fshatrat më të vjetra janë zona që na shqetësojnë. Banorët e zonës portokalli ndoshta mund të kthehen nesër, ndërsa në zonën e kuqe ndalohen lëvizjet deri sa të pastrohet plotësisht”,- tha kryetarja e Komunës së Bregaglias, Anna Giacometti.
Autoritetet evakuuan rreth 100 persona nga fshati i afërt Bondo, e gjithashtu alpinistët që gjendeshin në kantonin lindor Grisons, pasi shkëmbinjtë dhe balta goditën zonën.
AIDA ZYBERI
