Botë

Kryeministrat e Ballkanit në Durrës, i pranishëm në takim edhe eurokomisioneri Hahn

25.08.2017 13:59

Situata e tensionuar diplomatike, bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimi tregtar dhe ekonomia dixhitale do të jenë temat...

Situata e tensionuar diplomatike, bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimi tregtar dhe ekonomia dixhitale do të jenë temat në të cilat do të fokusohen bisedimet e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në takimin informal që mbahet të shtunën në Durrës.

Në këtë takim, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë mikpritësi i Samitit joformal, do jenë të pranishëm euromokisioneri, Johanes Hahn, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller, dhe kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës, Serbisë e Malit të Zi.

Bisedimet njëditore zhvillohen në kulmin e tensioneve politike Serbi-Maqedoni. Nga takimi pritet të përcillen dhe mesazhe për sheshimin e mosmarrëveshjeve dhe thellimin e bashkëpunimeve. Gjithashtu, sikurse evidentohet edhe në agjendë, veprimtaria njëditore do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë të cilave do të diskutohen edhe tema si tregtia, shërbimet e investimet.

Pritet që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit shumëvjeçar të veprimit për zonën ekonomike rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.

ARDITA IMERI