Maqedoni

Ditëlindja e Shën Terezës, Sereqi: Edhe sivjet, vetëm një buqetë lulesh në Shkup

25.08.2017 14:23

Një buqetë me lule pranë bustit dhe mozaikut, vetëm kaq do t’i dhurojë qyteti i saj në ditëlindjen e 107 nobelistes Nënë Tereza...

Qyteti me shenjtore, por pa prift shqiptar, ende pa u bërë një vit nga solemniteti që e bëri Vatikanin të flas shqip, lë sërish në heshtje ditët kur emri i saj do të duhej të glorifikohej.
 
Anton Sereqi, nënkryetar i Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive fetare mes brengës për mungesën e një prijësi shpirtëror që do të konsolidonte brengat dhe kërkesat e komunitetit shqiptar katolik, thekson se ky fakt e ka sjellë kishën e Zemës së Krishtit që ka bërë pagëzimin dhe kungimin e të shenjtës Nën Tereza në gjendje të mjerueshme. 
 
“Mjerisht, si çdo vit përsëriten gjërat, vet data e ditëlindjes së Nënë Terezës, 26 gushti, do të shënohet në një atmosferë shumë modeste edhe pse bëhet fjalë për shenjtëreshën Nënë Terezë, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore në Maqedoni, do të vijmë  këtu para bustit të Nënës Terezë të shtunën në orën 10, do të vendosim buqetë lulesh, pastaj do të drejtohemi kah sheshi Skënderbeu, ku është në ndërtim të sipërm, është planifikuar të bëhet muzeu i hapur ku do të jetë një mozaik me personalitetet më të shquara të kombit tonë, Skënderbeut dhe të Shenjtës Nënë Tereza, me atë do të rrumbullakosim shënimin e 107 vjetorit të Nënës sonë, e cila dihet se ndryshoi botën, filozofinë e jetës dhe e vetmja që punoi tërë jetën për mirësinë e njerëzimit”,- deklaroi nënkryetari i Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive fetare, Anton Sereqi.
 
Përtej dimensionit kishtar që iu dha me shpalljen shenjtore më 4 shtator të vitit të kaluar, Nënë Tereza për botën është humanistja që ia përkushtoi jetën më të varfërve e më të sëmurëve të botës. 
 
ARLINDA BAFTIU