Maqedoni
Rastet e montuara, Raufi: Kryeprokurori i ri shton shpresat për drejtësi
25.08.2017 15:17
Marko Zvrlevski, si kryeprokuror, deri më tani ka penguar zbardhjen e rasteve të montuara si “Sopoti”, “Brodeci”...

Marko Zvrlevski, si kryeprokuror, deri më tani ka penguar zbardhjen e rasteve të montuara si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Lagjja e trimave” dhe shkarkimi i tij dhe përzgjedhja e kryeprokurorit të ri shton shpresat se do të hapet rruga për zbardhjen e tyre, vlerëson avokati, Naser Raufi.
“Prokuroria e Marko Zvrlevskit e ka penguar zbardhjen e “Monstrës” konkretisht, por edhe zbardhjen e rasteve tjera të montuara. Unë kam qenë avokat në katër këto raste që duhet t’u bëhet revizion, “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Lagjja e trimave” dhe mendoj se me këtë që u shkarkua Zvlevski do të hapet rruga që të zbardhen këto raste, pasi të katër rastet janë të montuara”,- u shpreh avokati, Naser Raufi.
Në Gjykatën Supreme rasti “Monsta” është anuluar deri më tani tre herë. Raufi thotë se mund të anulohet edhe seanca e 12 shtatorit, derisa nuk pranohen si dëshmi edhe materialet që thuhet se gjenden nga bisedat e përgjuara.
“Unë shpresoj që këto dëshmi më në fund të jenë të dorëzuara te Gjykata Supreme para seancës ankimore, por po mos të jenë ka mundësi që edhe një herë të anulohet ky rast deri sa dëshmitë mos të jenë të dorëzuara te Gjykata Supreme. Mendoj se pas ndërrimit të prokurorit të shtetit është një situatë më e relaksuar, arsyeja se pse nuk janë dorëzuar ka qenë se nuk ka pasur bashkëpunim të këtyre dy prokurorive, por mendoj që me të vërtetë këto prova duhet të dorëzohen direkt te Këshilli i Gjykatës Supreme”,- theksoi avokati, Naser Raufi.
Më shumë herë lideri i LSDM-së, kryeministri aktual i vendit, ka deklaruar se në të ashtuquajturat “bomba të opozitës” ka materiale të përgjuara edhe për rastin “Monstra” dhe premtoi se Qeveria e re do të angazhohet për rastet e ndjeshme në opinion. Megjithatë, PPS nuk hapi asnjë hetim për këto raste deri në fund të mandatit të saj dhe të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë në burg. Shpresat tashmë i kanë në kryeprokurorin e ri dhe në reformat e paralajmëruara në sistemin gjyqësor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
