Maqedoni
Kufiri Bellanoc - Stançiç, Osmani: Hyn në projektet e rrezikshme, por do të realizohet
25.08.2017 15:37
Sekretariati për Çështje Evropiane fuqimisht punon në përfundimin e projektit për hapjen e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiç....

Është hapur rruga malësore me gjatësi prej 16 kilometrave dhe tashmë po punohet në koordinimin e çështjeve të hapura me Kosovën për dhënien e lejes së ndërtimit për objektin e përbashkët kufitar.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se pas sigurimit të kësaj leje, shumë shpejt do të fillojnë punimet ndërtimore për objektin kufitar.
“Mundësuam që Bashkimi Europian ta financojë atë objekt, mirëpo për shkak se objekti ndodhet në dy anët e kufijve, asnjëra anë nuk mund të japë leje për një objekt të përbashkët i cili ndodhet në dy anë. Tani jemi duke i koordinuar të gjitha institucionet, që të gjejmë një mënyrë të mund ta realizojmë këtë projekt. Mendoj që i kemi dhënë shans mirë këtij projekti dhe ai në fund do të realizohet edhe pse ende është në kuadër të projekteve të rrezikshme”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Vendkalimi Belanoc-Stançiç financohet nga mjetet IPA të Bashkimit Evropian, fonde të cilat u vunë sërish në dispozicion të projektit vetëm pak kohë më parë pas një ngrirjeje të gjatë. Maqedonia vite të tëra ka pasur probleme me mosshfrytëzimin e fondeve të akorduara. Sekretariati për Çështje Europiane po punon që fondet e parapara të shfrytëzohen maksimalisht në të ardhmen.
“Prandaj jam këtu për të bërë raport preciz dhe për t’i konsultuar të gjithë këta 400 persona të cilët janë angazhuar nëpër të gjitha ministritë për realizimin e programit IPA, por dhe të gjitha organizatat joqeveritare kanë ekspertë të brendshëm që të bëjmë një plan agresiv ngjashëm me planin 3-6-9, për t’i përmirësuar kapacitetet e shtetit për shfrytëzimin e mjeteve IPA”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Maqedonia deri në vitin 2020 ka në dispozicion 644 milion euro për zbatimin e projekteve për bashkëpunim kufitar, zhvillim rajonal, rural dhe të burimeve njerëzore dhe të bujqësisë. Prej tyre 445.5, ose rreth 67%, janë të programuara për periudhën 2014-2017, nga të cilat Komisioni Evropian ka aprovuar rreth 59% të mjeteve, ose gjithsej 395 milion euro, ndërsa të paaprovuara mbeten rreth 41 milionë euro.
REXHEP QAMILI
