Maqedoni

Minierat e reja, Bekteshi: Respektojmë mendimin e komunave; Asociacioni i minierave: Mendoni edhe për fatin e minatorëve

25.08.2017 16:09

Pas referendumeve në disa qytete kundër minierave të reja, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi...

Pas referendumeve në disa qytete kundër minierave të reja,  Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se sektori i burimeve minerale numëron mbi 10.000 të punësuar dhe është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, por gjithsesi për hapjen e minierave të reja do të merret gjithnjë parasysh mendimi i komunave.
 
“Gjatë procedurës për dhënien e koncesioneve konsultohen të gjitha institucionet që mund të kontribuojnë me mendimet e tyre në këtë drejtim, por gjëja më e rëndësishme është se kërkohet çdoherë edhe mendimi i komunave në territorin e të cilave vepron koncesioneri, pra dhënia e koncesionit drejtpërsëdrejti varet nga mendimi pozitiv i dhënë edhe nga vetë komuna”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Asociacioni i minierave është i kënaqur me faktin që në Maqedoni po ngrihet vetëdija ekologjike, por kërkojnë të kihet parasysh edhe fati i minatorëve.
 
“Na gëzon fakti që në Maqedoni po zgjohet vetëdija për një mjedis më ekologjik, por duhet të kihet parasysh edhe në miniera punojnë mbi 10.000 njerëz dhe se pa miniera vetë minatorët dhe njerëzit që punojnë në to e dinë se si do jetë. Minierat për Maqedoninë kanë rëndësi të madhe, prandaj patjetër të mbajmë llogari për humbjen e forcës kualitative të punës”,- theksoi kryetari i Asociacionit të Minierave, Nikollajço Nikollov.
 
Këto komente u dhanë në ceremoninë solemne për nder të Ditës së Minatorëve, 28 gushtit, ku u ndanë edhe mirënjohje për minatorët më të mirë.
 
ERSAN PAJAZITI