Maqedoni

Osmani: Prokurori i ri, ekspert jopolitik, pse jo edhe shqiptar

25.08.2017 16:18

Me shkarkimin e ish prokurorit publik, Marko Zvrlevski, hapet një kapitull i ri i shprehur përmes zgjedhjes..

Me shkarkimin e ish prokurorit publik, Marko Zvrlevski, hapet një kapitull i ri i shprehur përmes zgjedhjes dhe emërimit të një prokurori të ri publik dhe kësaj i imponohen edhe çështjet se cilat vlera duhet t’i posedojë ky prokuror dhe si duhet të jetë ai. Pikërisht mbi këto çështje deputetët do të kenë mundësi të diskutojnë në Kuvend më 4 shtator.
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, vlerëson se gjatë zgjedhjes së prokurorit të ri duhet të respektohen ligjet dhe procedurat, të zgjidhet një ekspert i cili do të jetë partiakisht neutral dhe të kthejë dinjitetin e institucioneve. Osmani thekson se BDI dëshiron që në pozicionin e Zvrlevskit të vijë një shqiptar, por para së gjithash e rëndësishme është që ai të jetë ekspert. 
 
“Gjithmonë na kanë kritikuar,  edhe në ato përgjimet e dala, se BDI po ndërhyn në çështjen e gjykatësve. Ne kemi ndërhyrë dhe do të ndërhyjmë edhe në të ardhmen sa i takon edhe gjykatësve edhe prokurorëve,  se janë shqiptar apo nuk janë…Ne duam që edhe Prokurori edhe në gjykatë të respektohen parimi I përfaqësimit të drejtë që është normë Kushtetuese. Mirëpo kjo nuk do të thotë që ai shqiptar duhet të jetë I njërës parti apo I tjetetrës parti politike.  Po, shqiptarë duhet të ketë në çdo pore të sistemit, por ata do të zgjidhen në konkurs, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë”,- deklaroi Osmani.
 
Afati i fundit për kandidatët është 15 ditë nga publikimi i njoftimit në Gazetën zyrtare. Deri në emërimin e kryeprokurorit të ri nga ana e Kuvendit,  Këshilli i prokurorëve e ka për obligim që të zgjedh ushtrues detyre në vend të Zvrlevskit, por në mungesë të kuorumit seanca e djeshme u anulua për më 29 gusht.
 
Kryetari i Këshillit, Petar Anevski, njoftoi se zëvendësi i përkohshëm i Zvrlevskit do të zgjidhet nga radhët e prokurorëve aktualë në Prokurorinë Shtetërore Publike. 
 
SANIJE DURAKU