Maqedoni
Diskriminimi, Komiteti i Helsinkit: Baza më e shpeshtë, përkatësia etnike dhe politike
25.08.2017 16:37
Diskriminimi në bazë të përkatësisë etnike, politike, statusit shëndetësor, gjinisë dhe invaliditetit, janë sferat ku qytetarët ankohen më së shumti se janë të diskriminuar...

Këtë e tregon raporti vjetor i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut për diskriminim në vitin 2016. Sipas të dhënave, më së shumti qytetarët janë të diskriminuar në marrëdhëniet e punës, shëndetësisë, arsimit dhe qasjes deri te shërbimet.
“Në ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e diskriminimit më aktivë janë shoqatat qytetare, ndërkaq është e nevojshme që të ketë aktivitete më të shumta nga institucionet në pjesën e parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, veçmas nga ana e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi. Mendojmë se funksionarët publikë patjetër të fillojnë me dënime të fjalimeve diskriminuese dhe shqetësuese në media”,- u tha nga Komiteti i Helsinkit.
Raporti i paraqet të dhënat e grumbulluara nga shoqatat qytetare dhe institucionet në fushat e diskriminimit për vitin e kaluar. Komiteti i Helsinkit rekomandon që në afat sa më të shkurtër kohor të bëhet ndërhyrje në Ligjin për parandalim dhe mbrojtje të diskriminimit, pasi që vlerësojnë se do të mundësojë efikasitet më të madh në sistemin e përgjithshëm për mbrojtje nga diskriminimi.
AMIR DURAKU
