Maqedoni

Ganiu: Mbi 200 mijë euro grande për UT-në; Konvikti i UT-së pret lejen e ndërtimit, Ganiu: Janë ndarë 3 milionë euro buxhet

25.08.2017 16:55

Universitetit të Tetovës i janë ndarë grande prej më shumë se 200.000 eurosh dhe do të implementohen gjatë dy viteve të ardhshme....

Zëvendësministri i Arsimit, Visar Ganiu, deklaron se këto grande do t’u mundësojnë studentëve dhe stafit arsimor zgjerimin e diturive dhe krijimin e kurikulumit të ri të ciklit të dytë të studimeve interkulturore.
 
“UT-së i është ndarë një grand për mobilitet në vlerë prej mbi 200 mijë euro. Ky grand jepet në bashkëpunim me disa universitete të tjera europiane ku së bashku duhet të hartojnë një kurikul për studimet master”,- theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu.
 
Por, nuk mbaron këtu mbështetja për Universitetin e Tetovës. Ganiu paralajmëron edhe ndërtimin shumë shpejt të konviktit. 
 
“Në vazhdimësi kemi përcjellë punën për ndërtimin e konviktit, dokumentacionet i kemi përgatitur në kohë, kërkohet vetëm leja për ndërtimin e objektit. MASh në buxhetin 2018 ka paraparë mbi 3 milionë euro për UT-në si investime kapitale”,- theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu.
 
Sipas tij, me ndihmën financiare dhe me mbështetjen e përhershme nga Ministria e Arsimit, por edhe me punën profesionale të të punësuarve të tij, Universiteti i Tetovës fuqishëm hapëron atje ku duhet ta ketë vendin, në mesin e universiteteve më të mira evropiane.
 
FJOLLA TELAI