BUSHATI-VELJANOVSKI

Bushati i dorëzoi letrat kredenciale Veljanovskit

11.06.2014 19:14

Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ka pritur në takim ambasadorin e posa emëruar të Shqipërisë në Shkup, Petrit Bushatin………

Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ka pritur në takim ambasadorin e posa emëruar të Shqipërisë në Shkup, Petrit Bushatin. 

Kryeparlamentari Veljanovski ka potencuar se Parlamentet e Maqedonisë dhe Shqipërisë deri më tani kanë pasur një bashkëpunim të mirë, duke potencuar se ai, gjatë vizitës në Tiranë vitin e kaluar, ka intensifikuar bashkëpunimin mes dy institucioneve si në nivelin e kryetarëve të Kuvendit ashtu edhe të Komisioneve.

Ambasadori Petrit Bushati ka thënë se Parlamentet çdoherë mund të kontribuojnë në tejkalimin dhe zgjidhjen e çështjeve të kontestuara, si dhe ndihmojnë në afrimin mes dy shteteve. Ai ka thënë se edhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, do të realizojë vizitë zyrtare në Maqedoni.

Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se Shqipëria dhe Maqedonia kanë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe raporte miqësore, duke shpresuar se ky lloj bashkëpunimi do të jetë edhe më i frytshëm me ide të reja dhe konstruktive.

Ajo që me theks të veçantë u potencua mes dy bashkëbiseduesve, është bashkëpunimi i përbashkët dhe këmbimi i përvojave në rrugën për anëtarësim në BE, si alternativë e vetme për rajonin.

Në këtë çështje, Veljanovski uroi që Shqipëria sa më parë të marrë statusin kandidat për anëtarësim në BE.

Gjithashtu u bisedua edhe për bashkëpunimin e mëtejmë në sferën ekonomike si në zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, e cila është e rëndësisë së veçantë që lidh dy vendet, si dhe u potencua ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër. (AFRIM TANALLARI, TVM2)