Maqedoni

Energjia elektrike, kthimi i tarifës së lirë, LSDM: qeveria po përmirëson padrejtësinë; Energjia elektrike, kthimi i tarifës së lirë, VMRO-DPMNE: liberalizimi do të rritë faturat

25.08.2017 18:21

Nga tetori qytetarët e Maqedonisë do të mund të shfrytëzojnë tarifë të lirë të energjisë elektrike edhe përgjatë ditës...

Nga tetori qytetarët e Maqedonisë do të mund të shfrytëzojnë tarifë të lirë të energjisë elektrike edhe përgjatë ditës, përkatësisht prej orës 14:00 deri në orën 16:00, e jo vetëm gjatë orëve të natës.
 
Me këtë masë ata do të jenë në gjendje të ulin shumën e faturave të energjisë elektrike, thonë nga LSDM.
 
“Qeveria e udhëhequr nga LSDM-së po përmirëson padrejtësinë të cilën qeveria e kaluar ua ka shkaktuar pikërisht shtresave më të prekura me heqjen e tarifës së lirë të energjisë elektrike. Qytetarët më nuk do të duhet të presin orët e vona apo të mëngjesit për të kryer punët e shtëpisë apo të kyçin ndonjë aparat elektrik për të tilla qëllime”,- u shpreh Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
Ndërkohë, nëpërmjet një kumtese ka reaguar VMRO-DPMNE. Sipas tyre, me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike të cilin e planifikon qeveria, faturat e qytetarëve do të rriten për 20%.
 
“Masa aktuale populistike nuk do të ndikojë në faturat. Secili konsumatorë do ta shohë mashtrimin me faturën e parë. Për këtë qëllim LSD e paralajmëron masën tani, ndërsa zhgënjimi do të arrijë pas zgjedhjeve”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
 
NAIM RAMADANI