Maqedoni

Normalizohen marrëdhëniet Shkup - Beograd, Dimitrovi dhe Daçiqi: bashkëpunim dhe transparencë

25.08.2017 18:54

Pas krizës diplomatike disaditore mes Shkupit dhe Beogradit, e cila u tejkalua shpejt, me marrëveshjen parimore mes kryeministrit Zaev dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq...

Pas krizës diplomatike disaditore mes Shkupit dhe Beogradit, e cila u tejkalua shpejt, me marrëveshjen parimore mes kryeministrit Zaev dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, sot, në Nish, u mbajt takim mes ministrit të Jashtëm, Nikolla Dimitrov, dhe atij të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq. Dy ministrat kanë diskutuar në detaje marrëveshjen që, pak ditë më parë, e dakorduan kryeministrat e dy vendeve.
 
Dimitrovi dhe Daçiqi edhe një herë kanë konfirmuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe transparencën më të madhe në marrëdhëniet dypalëshe.
 
Një ditë më parë, personeli i Ambasadës serbe, pas konsultave në Beograd, u kthye në Shkup dhe siç njoftojnë, Ambasada punon me kapacitet të plotë. Ndërkaq, ambasadorja serbe, Dushanka Divjak, do të kthehet më 31 gusht dhe vetëm një ditë më pas do të ketë takim me kryeministrin, Zoran Zaev.
 
Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë, Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, u pajtuan se pa marrë parasysh të gjitha dallimet politike për disa çështje të caktuara të rëndësishme politike, Maqedonia dhe Serbia së bashku do të luftojnë jo vetëm për ruajtjen, por edhe për përparimin e marrëdhënieve miqësore midis popullit maqedonas dhe atij serb dhe qytetarëve të të dyja vendeve.
 
Zaevi dhe Vuçiqi u dakorduan që Maqedonia dhe Serbia të bëjnë përpjekje shtesë për përparimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e këmbimit tregtar midis dy vendeve. 
 
Për nesër është paralajmëruar edhe takimi mes kryeministrave, Zaev dhe Bërnabiq, në një takim joformal të vendeve të Ballkanit perëndimor që mbahet në Durrës të Shqipërisë. 
 
SHPËTIM NUREDINI