Botë

Florida, ekzekutohet pas 30 vitesh supremacisti

25.08.2017 21:19

Mark Asay është i pari person i bardhë në historinë e Floridës, i ekzekutuar nga shteti për vrasjen e një personi me ngjyrë...

Mark Asay është i pari person i bardhë në historinë e Floridës, i ekzekutuar nga shteti për vrasjen e një personi me ngjyrë, që prej rivendosjes së ndëshkimit kapital në vitin 1976.
 
Supremacisti i dënuar përpara 30 vitesh u bë gjithashtu i pari, mbi të cilin provohej një koktej i ri i drogave të përdorura për dënimin me vdekje të të burgosurve në SHBA.
 
Mbi 53-vjeçarin rëndonte faji i dy vrasjeve të kryera në Jacksonville në vitin 1987. Juria, asokohe doli në përfundimin se Asay i kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri viktimat e tij, afrikano-amerikanin Robert Lee Booker dhe hispanikun 26-vjeçar, Robert McDowell, pas komenteve raciste të lëshuara në drejtim të tyre.
 
Mbi McDowell kishte shkrepur 6 plumba, pasi i kishte kërkuar shërbime seksuale duke menduar se ishte femër, ndërsa më pas kishte parë se në fakt gjendej përpara një mashkulli.
 
Përgjatë 4 dekadave, 20 persona me ngjyrë janë ekzekutuar në Florida për vrasjen e viktimave të bardha. Ekzekutimi i Asay nisi me administrimin e “etomidejt”, një element anestezik i papërdorur më parë në situata të tilla në Shtetet e Bashkuara.
 
Ai do të zëvendësojë “midazolamin” e braktisur prej frikës se shkakton vuajtje të panevojshme. Por kritikët nuk vonuan të hidhen në sulm, me pretendimin se autoritetet e përdorën 53-vjeçarin si kavje./Top Channel