Uragani “Harvey” në SHBA, dy viktima e shum të zhvendosur në Teksas

27.08.2017 14:50

Dy persona kanë humbur jetën nga uragani më i fuqishëm në më tepër se gjysmë shekulli.....

Dy persona kanë humbur jetën nga uragani më i fuqishëm në më tepër se gjysmë shekulli, që e ka goditur gjirin bregdetar të Shteteve të Bashkuara.

Një person ka vdekur nga zjarri në shtëpinë e tij,ka njoftuar prefekti i qytetit bregdetar, Rockport, ndërsa një femër e ka humbur jetën derisa ishte në makinën e saj në rrugët e vërshuara të qytetit Hjuston.

Uragani Harvey, prej dy ditësh e ka goditur shtetin amerikan, Teksas, si stuhi e kategorisë së 4-të, që është niveli i dytë më i lartë i sistemit të kategorizimit, me erëra me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.

Aktualisht, kategoria e tij është ulur dhe ai tash vlerësohet si stuhi tropikale.  Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott ka paralajmëruar se shqetësim kryesor për të përbëjnë përmbytjet masive që mund të shkaktohen nga reshjet tejet të dendura të shiut si pasojë e uraganit “Harvey”.

Abbott shtoi se qytetet e Houstonit dhe Corpus Christit kanë parë tashmë mbi 50 cm shi, ndërsa parashikimet flasin edhe për 100 cm të tjera shi përpara se stuhia tropikale të nisë të tërhiqet gjatë mesjavës.

Përpjekjet për shpëtim kanë pësuar goditje nga erërat e forta, e me mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike.

Houstoni është qyteti i katërt më i madh në SHBA, që deri më tani ka përjetuar 5 cm deri në 7.5 cm shi brenda një ore, kryesisht gjatë natës së të shtunës, sipas asaj që njoftoi kryebashkiaku Sylvester Turner.

Rreth 4.500 të burgosur janë evakuuar nga burgjet në jug të Houstonit, për t’u transferuar në burgje të tjera në lindje të Teksasit, kjo për shkak se lumi Brazos i ka rritur tej mase nivelet e tij.

Abbott paralajmëroi për “përmbytje të mundshme tejet dramatike” nga stuhia, ndërsa zgjeroi gjendjen e emergjencës në shtet, nga 30 në 50 kantone.

Ai ka mobilizuar një personel ushtarak prej 1.800 vetësh, për të ndihmuar në përpjekjet për shpëtim dhe operacionet e ndihmës. Parashikimet e motit tregojnë se rreth 1 metër shi pritet të bjerë në disa zona të pjesës qendrore dhe të sipërme të bregdetit të Teksasit.

Një sasi e tillë reshjesh mund të shkaktojë përmbytje në zonat e ulëta dhe ato pranë lumenjve. (Amir Duraku, TVM2)