Botë

“Harvey” nuk ndalet, rritet në 5 numri i viktimave

28.08.2017 09:58

Është rritur në 5 numri i viktimave në Hjuston, që po përballet me përmbytje katastrofike...

Më shumë se 1000 persona janë shpëtuar nga vërshimi i furishëm i ujërave në pjesë të ndryshme të qytetit të katërt më të populluar të ShBA-së. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i druhet rrezikut të përmbytjeve dhe rënies së gati 100 centimetrave të tjera shi, përpara se “Harvey” të nisë të qetësohet nga mesi i javës.
 
Nga sa pohon Abbott, 50 cm shi kanë rënë tashmë në qytetet e Houstonit dhe Corpus Christit. Erërat e dhunshme po vështirësojnë përpjekjet e shpëtimit, ndërsa mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike. Vdekja e parë e konfirmuar ishte në qytetin Rockport. Rreth 4.500 të burgosur nga burgjet në jug të Houstonit po evakuohen në institucione të tjera riedukimi në lindje të Teksasit, për shkak se niveli i lumit Brazos aty pranë është duke u rritur ndjeshëm.
 
Harvey nisi si uragan i fuqishëm i kategorisë së katërt, i pari që prekte tokën amerikane në 12 vite, për të humbur më pas të shtunën një pjesë të forcës së tij, duke marrë formën e një stuhie tropikale. Për Abbott, rreziku i saj megjithatë nuk duhet nënvlerësuar.
 
Ai përmendi mundësinë e vërshimeve dramatike dhe e zgjeroi gjendjen e emergjencës, nga 30 konte të shtetit në 50 të tilla. 1.800 trupa ushtarakë janë mobilizuar për të dhënë ndihmesën e tyre në operacionet e shpëtimit e ato të rindërtimit. Shërbimi meteorologjik kombëtar paralajmëroi se stuhia është kaq e egër, sa shumë zona të prekura prej saj mund të bëhen të pabanueshme për muaj të tërë.