Maqedoni

Vulin: Kosova jo në UNESCO, nga kjo varen marrëdhëniet e Serbisë me RM-në

28.08.2017 12:51

Pas tërheqjes së diplomatëve serbë, pas akuzave se Maqedonia punon kundër interesave të Serbisë...

Pas tërheqjes së diplomatëve serbë, pas akuzave se Maqedonia punon kundër interesave të Serbisë, pas bisedave telefonike dhe takimeve, duket se marrëdhëniet mes Shkupit dhe Beogradit u qetësuan, por deklaratat e nxehta nga ana serbe vazhdojnë.
 
“Qeveritarët maqedonas duhet ta udhëheqin politikën në vendin e tyre, por duhet ta dinë se për ne është shumë e rëndësishme që Kosova të mos jetë anëtare e UNESCO-s dhe Interpolit”,- ka deklaruar ministri serb për mbrojtje, Aleksandar Vulin. 
 
“Edhe Maqedonia edhe të gjithë vendet tjera duhet ta dinë se çështja për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL është e një rëndësie të madhe dhe vlerësojmë se Kosova nuk guxon dhe nuk mund të jetë pjesë e atyre organizatave. Të gjitha vendet që e dinë atë, do ta kuptojnë se edhe marrëdhëniet tona në një pjesë të madhe do të ndërtohen sipas kësaj”,- ka deklaruar Vulin. 
 
Të shtunën, në Durrës, kryeministri Zaev është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se “Maqedonia ende nuk ka një qëndrim të saktë rreth votës pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO për shkak të faktit se Kosova nuk ka konkurruar këtë vit”.