Dita e Minatorëve, MPPS: Korrigjojmë padrejtësitë me zgjidhje ligjore
Minatorët festojnë 28 gushtin, ditën e tyre...

Minatorët festojnë 28 gushtin, ditën e tyre. Manifestime me rastin e kësaj dite janë mbajtur në minierën Suvodol të REK "Bitola" dhe në REK “Oslomej”.
Autoritetet theksuan rëndësinë e minierave dhe të punës së minatorëve. Në dy vitet e ardhshme do të realizohet investimi për furnizimin me pajisje që do t'i përforcojë kapacitetet e minierave në REK "Bitola", të cilat me forcat e veta, pa angazhimin e kompanive të jashtme, do të munden në tërësi t'i përmbushin nevojat nga lënda djegëse për termocentralet.
Në ditën e minatorëve, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale premton gjetjen e një zgjidhjeje ligjore që do të zgjidhte një herë e mirë, siç thonë, padrejtësitë që në vite iu janë bërë minatorëve.
“Minatorët shumë vite ishin lënë pas dore edhe në margjinat e shoqërisë. Në vitin 2007, pushteti i kryesuar nga VMRO- DPMNE hoqi dispozitat nga Ligji për sigurim pensional dhe invalidor me të cilat iu shkurtohet mundësia për pensionim të minatorëve vetëm në bazë të stazhit pensional. Shumë minatorë në 10 vitet e fundit janë përballur me padrejtësinë për të punuar edhe mbi moshën 55 vjeçare, edhe pse në një periudhë të caktuar kanë pasur pagesë të stazhit të mirëfilltë",- thonë nga MPPS.
“Me zgjidhjen e re ligjore do të sigurohen kushte më të mira për punën e minatorëve, pensionimi para kohe, si dhe krijimi i mekanizmave për respektimin e dispozitave për siguri dhe shëndet gjatë punës”,- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Në këtë ditë u shpallën edhe minatorët më të mirë për sivjet si dhe fituesit e lojërave punëtore sportive, të cilat organizata sindikale i organizon në nder të Ditës së Minatorëve. (Besim Abdullai, TVM2)
