Stuhia “Harvey”, Houstoni lufton me përmbytjet katastrofale

28.08.2017 16:46

Houstoni vazhdon të përballet me përmbytje katastrofale....

Houstoni vazhdon të përballet me përmbytje katastrofale. Pesë janë viktimat e situatës së rënduar meteorologjike.

Njerëzit e bllokuar në banesa janë ngjitur nëpër çati, nga ku janë evakuuar me helikopterë.

Spitalet e zonës janë zbrazur, shumë shkolla e dy aeroportet kryesore janë mbyllur dhe mijëra vetë vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Një nivel rekord prej 75 cm shi i ka kthyer rrugët e Houstonit në lumenj. Edhe pse një uragan i kategorisë së katërt e humbi një pjesë të fuqisë duke u shndërruar në stuhi tropikale, “Harvey” vazhdon të mundojë Teksasin, nga ku duket se për momentin nuk ka ndërmend të lëvizë. Rreth 2.000 persona janë shpëtuar në dhe përreth qytetit të katërt më të populluar në Amerikë.

“Harvey” u përplas mbi shtetin e Teksasit gjatë fundjavës, duke lëshuar erëra të forta e shi të rrëmbyer në qindra kilometra vijë bregdetare. Përmbytjet dhe tornadot që shoqëruan stuhinë vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banorët. Ka raporte për mundësinë e të vdekurve në automjete të mbuluara nga uji, për të cilat autoritetet kanë nisur hetimet. Një grua hodhi online fotot e dy aligatorëve që kishin përfunduar në kopshtin e shtëpisë së saj.

Sipas vlerësimeve, në disa zona kanë rënë deri 1 metër e gjysmë reshje, duke shkaktuar përmbytje të cilësuara “katastrofike”. Infrastruktura e shtetit është dëmtuar rëndë.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se, që nga e premtja në mbrëmje, të paktën 7 tornado kanë goditur qytetin e Houstonit. Në dy ditët e ardhshme pritet të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga stuhia. (Fjolla Telai, TVM2)