Zgjedhjet lokale 2017, partitë ende i diskutojnë emrat e kandidatëve
Vazhdon gara brendapartiake për kandidatët për kryetarë komunash...

Vazhdon gara brendapartiake për kandidatët për kryetarë komunash, për zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Partitë politike kanë afat deri më 14 shtator për dorëzimin e listave të kandidatëve.
Nga BDI deri tani si emra më të sigurtë kanë vetëm kandidaturat e Visar Ganiut për Çairin, Fatmir Deharit për Kërçovën dhe Nevzat Bejtës për Gostivarin, por gjithsesi pritet vendimi përfundimtar.
Edhe LSDM dhe VMRO i kanë të sigurtë deri në 5 kandidatë për komuna, ndërsa përzgjedhja e emrave të tjerë ende vazhdon. Partitë e tjera shqiptare ende nuk kanë asnjë emër të sigurt, të paktën publikisht, por thonë se kandidatët me të cilët do të garojnë do të jenë përzgjedhja më e mirë për qytetarët.
Vëzhguesit e zgjedhjeve 2016, gabimi në të dhëna, mbi 700 vëzhgues pa honorar
Edhe KShZ vazhdon punën intensive dhe përgatitjet për zgjedhjet e radhës. Por, edhe pse javën që lamë pas u bë përzgjedhja rastësore e punonjësve të administratës që do të angazhohen për zgjedhjet lokale të tetorit, KShZ duket se ka problem me mbi 700 anëtarë të komisioneve komunale dhe bordeve zgjedhore, të cilave nuk u është bërë pagesa për punën e bërë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016. Nga KShZ thonë se 738 personave nuk u është bërë pagesa-kompensimi për pjesëmarrje dhe zbatim të zgjedhjeve për shkak të gabimeve në të dhënat e dorëzuara nga komisionet.
“Për këta persona, komisionet komunale zgjedhore kanë vendosur xhirollogari apo numrin amë të gabuar në sistemin elektronik për pagesë, me çka fletëpagesat për pagesën e kompensimeve nuk mund të realizohen nga ana e Ministrisë për Financa”,- thonë nga KShZ.
Këta persona duhet të kontaktojnë me përgjegjësit e bordeve zgjedhore, të japin të dhënat e sakta të cilat duhet të dërgohen në Sektorin për çështje financiare të KShZ-së më së voni deri më 30 gusht. (Rexhep Qamili, TVM2)
