Zona e përbashkët ekonomike, analistët:Të analizohet mirë se çfarë përfiton RM
Ideja për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik në Ballkan....

Ideja për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik në Ballkan, që u ripërsërit të shtunën nga eurokomisioneri, Johanes Hahn, edhe në Samitin e kryeministrave të Ballkanit në Durrës, sipas shpjegimit të komisionierit për zgjerimin e BE-së, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal në mënyrë që të përshpejtohet integrimi i këtyre vendeve në Union, duke hapur njëkohësisht vende të reja pune.
Por, analistët politik në vend e shohin idenë më shumë si ide për përfitim politik e jo edhe aq ekonomik. Sipas analistit politik, Njiazi Muhamedi, vetë fakti që Zyra e qendrës së transportit për Ballkanin Perëndimor do jetë në Beograd, tregon qartë se ideja është strategji e Serbisë për të dominuar në Ballkan.
“Këtu bëhet fjalë për një shmangie prej atyre fazave dhe para procesit të Berlinit ose asaj që thonë zona ekonomike e Ballkanit d.m.th. një lidhje institucionale ndërmjet këtyre katër vendeve që kanë mbetur, që nuk mund të quhet bile Jugosllavi e re, por është thjesht një serbo-sllavi dhe gjithë lëvizjet serbe kanë qenë për të krijuar këtë serbo-sllavi me daljen e tyre në detin Adriatik, përmes portit shqiptar, që mandej në mënyre alternative zëvendësohen me rregullimin e hekurudhës Beograd –Tivar, që ka qenë më parë Beograd – Durrës. Po qe se shqiptarët, shteti shqiptar, por edhe Kosova hyn në rrotullimin e kësaj strategjie, atëherë unë lirisht mund të them se mund të jetë fundi i kombit shqiptar”,- deklaroi analisti politik, Njiazi Muhamedi.
Edhe analisti ekonomik, Zoran Vitanov, krijim e një tregu të përbashkët në Ballkan e sheh me skepticizëm, pasi që nga kjo përfitim do të kenë vetëm disa shtete dhe aty s’bën pjesë Maqedonia.
“Nevojë e domosdoshme e Maqedonisë është që të ketë një strategji të fuqishme ekonomike e cila do të jetë afatgjate. Në këtë moment vendi ynë nuk ka përfitime, pasi që nuk janë definuar rregullat, nuk dimë a do të ketë favorizime dhe diskriminim të disa shteteve. Edhe pse duket si një plan ekonomik i mirë, duhet të jemi të kujdesshëm me implementimin e saj në praktikë”,- u shpreh analisti ekonomik, Zoran Vitanov.
Për dallim nga analistët të cilët janë të rezervuar për benefitet e mundshme të vendit nga kjo ide, për zëvendëskryeministrin, Koco Angjushev, një bashkim i tillë do të hiqte barrierat administrative dhe do të rriste bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit. Gjithsesi, edhe ai pranon se kjo çështje duhet parë me kujdes.
“Të gjithë duhet të shohim përfitimet tona në një bashkëpunim të tillë dhe mendoj se përmes bisedave konstruktive me të gjithë fqinjët tanë rajonalë, ekonomia e Maqedonisë do të mund të ketë benefite nga një masë e tillë. Vetëm duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndjekim zhvillimet e të participojmë aktivisht në këto zhvillime”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
Zona ekonomike rajonale u hodh fillimisht si ide gjatë takimit të Triestes, dhe sipas eurokomisionerit Hahn do të ofrojë mundësi të reja për biznese, do zhvillojë edhe më shumë ekonominë, duke krijuar vende të reja pune dhe mund të shihet si një fazë parapërgatitore për anëtarësimin e Ballkanit në BE, ku rajoni do të ishte partner më i fuqishëm pikërisht duke u ofruar si forcë ekonomike e vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. (Sanije Duraku, TVM2)
