Dita e Shën Mërisë, festë në të gjitha kishat ortodokse
Të gjithë krishterët ortodoksë kremtojnë Festën e Shën Mërisë...
Të gjithë krishterët ortodoksë kremtojnë Festën e Shën Mërisë, një nga festat më të mëdha të kalendarit ortodoks.
Festa vjen pas dy javëve agjërim, i cili përfundoi pikërisht me nisjen festimeve të kësaj dite. Në traditën e lashtë shqiptare kjo festë njihet ndryshe “Pashka e verës”, ose “Pashka e vogël”. Njësoj festohet edhe në kishat ortodokse në Maqedoni.
“Erdhëm në lutje, me kënaqësi e dëgjojmë dhe lutemi për të gjithë, të na jep Zoti shëndet për të gjithë ne”,- theksoi një besimtare.
“Shën Mëria është një nga festat më të mëdha, ajo është mbrojtëse e fëmijëve tanë dhe brezave tanë dhe të lutemi për shëndet dhe paqe në të gjithë botën”,- theksoi një besimtare.
Kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë potencoi me këtë rast krizën e thellë në të cilën ka hyrë shoqëria.
“Shembulli i Shën Mërisë është shumë i rëndësishëm edhe në këtë kohë të mbushur me kriza, veçanërisht me kriza familjare, kriza në martesat tona, kriza në edukim dhe përgjegjësi prindërore, kohë të ndryshimit të kushteve, në edukimin e gjeneratave të reja dhe të mundësive në jetën e nënave tona. Për këtë shkak është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme para gjeneratave të reja të theksohet shembulli i Shën Mërisë, personalitetit dhe idealit të saj”,- tha kryetari i KOM-it, Stefani.
Kryeministri Zaev iu shmang deklaratave politike sot, duke potencuar rëndësinë e kësaj feste dhe vlerat fetare që duhen kthyer në vlera njerëzore.
“Maqedonia është gjithçka që kemi, ndërsa kisha është mburoja jonë. Shpresoj që këto festa do ta rikthejnë të mirën në shpirt, që të vazhdojmë të jemi para së gjithash njerëz të mirë”,- u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Urime kanë dërguar edhe krerët e institucioneve dhe të partive politike. Ashtu si “Pashka e Madhe”, edhe “Pashka e verës” është një gërshetim i dhimbjes së kthyer në gëzim.
Si Jezu Krishti, edhe Virgjëresha Mari u ringjallën dhe lanë pas varre bosh. Dhe pikërisht ky fakt e bën kaq të veçantë festimin edhe të kësaj dite, duke i dhënë rëndësi të posaçme në kalendarin e festave të besimtarëve të krishterë.
Besimtarët katolikë e festuan “Pashkën e vogël” dy javë më herët. (Semra Ajeti, TVM2)
