Frenimi i emigrantëve, samit i udhëheqësve të BE-së dhe atyre afrikanë

28.08.2017 19:54

Rreth 100 mijë emigrantë kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit, nga Libia drejt Italisë, vetëm këtë vit....

Rreth 100 mijë emigrantë kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit, nga Libia drejt Italisë, vetëm këtë vit.

Mbi 2.000 persona kanë vdekur në këtë udhëtim drejt shpresës. Italia përforcoi kontrollet detare dhe kjo solli rënie të numrit të emigrantëve për 57% në korrik, por qendrat për refugjatë në gadishullin apenin janë të stërmbushura dhe Italia ka kohë që kërkon ndihmën e BE-së.

Këtë vit, Spanja ka parë një rritje të numrit të emigrantëve, që udhëtojnë drejt tokës së saj nga Maroku. Shumica e tyre janë nga vendet e Afrikës Perëndimore, kryesisht nga Nigeria, Guinea dhe Bregu i Fildishtë.

Në shumicën e rasteve ata trajtohen si emigrantë ekonomikë, e jo si refugjatë që u largohen luftërave apo persekutimit.

Ky numër kaq i madh refugjatësh nga Afrika ka detyruar presidentin francez, Emmanuel Macron, të mbledhë në një samit udhëheqësit europianë dhe afrikanë, në përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve përmes Mesdheut.

Në samit morën pjesë udhëheqës nga Çadi, Nigeria dhe Libia, vendet kryesore të transitit për emigrantët. Nga udhëheqësit europianë, të pranishëm janë ata nga Gjermania, Italia dhe Spanja.

Me synimin për të frenuar fluksin, Macron kërkon që kërkesat për azil të menaxhohen pikërisht në Afrikë. Ai ka folur për ngritjen e disa “hotspot”-eve në Çad, Nigeri dhe Libi për të proceduar me aplikimet e azilit, megjithatë destabiliteti kronik në Libi mund të rezultojë një pengesë e madhe që këto qendra të operojnë atje. (Kaltrina Maksuti, TVM2)