Sulmohet bashkëshortja e ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës
Bashkëshortja e ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Blerand Stavilecit...

Bashkëshortja e ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Blerand Stavilecit, është sulmuar dje në Prishtinë nga persona të panjohur, informojnë mediat vendore.
Policia ka njoftuar se rreth orës 14:00 ka marrë informacion se në lagjen Veternik në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht nga persona të dyshuar dhe më pas u konfirmua identiteti i saj.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të cilën e ka cilësuar si "akt barbar dhe qyqar".
Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ky sulm i shqetëson të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pas sulmit ndaj Vitore Metaj Stavileci, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social duke e quajtur, sulm të neveritshëm dhe fton organet ta ndriçojnë rastin.
Ministrja Hoxha thekson se sulmi ndaj nënës, bashkëshortes dhe qytetares së lirë të këtij vendi, tregon për pezmin e tmerrshëm të projektuesve dhe realizuesve të këtij sulmi djallëzor, është sulm ndaj familjes dhe lirisë në shtetin tonë.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë e ka dënuar sulmin fizik ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci.
"KMLDNJ duke e dënuar këtë sulm të dhunshëm ndaj znj. Vitorie Stavileci, sikur edhe në rastet e mëparshme ka kërkuar dhe kërkon hetime të shpejta, efikase, të pavarura, që nënkupton të mos paragjykohen kryesit e kësaj vepre të dhunshme dhe të mos përdoret për qëllime politike nga asnjë subjekt politik", citohet në njoftimin e KMLNJ-së.
