Botë
Spekulimet për Tillerson, mund të largohet nga posti
29.08.2017 13:33
Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata...

Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata, pas deklaratave qe ai dhe një ndihmës u dhanë gazetarëve gjatë dy ditëve të fundit.
Sipas “Zërit të Amerikës”, Tillerson drekoi të hënën me presidentin Donald Trump dhe zëvendëspresidentin Mike Pence.
Ky i fundit takoi me pas ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara Nikki Haley. Përkimi i takimeve bëri që vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi mundësinë që Haley të marrë postin e Tillerson, nëse ai largohet. Në një intervistë me "Fox News Sunday", Sekretari Amerikan i Shtetit u pyet lidhur me reagimin mjaft të kritikuar të Presidentit Trump për dhunën vdekjeprurëse në Sharlotsville të Virxhinias këtë muaj, pas një tubimi nga supremacistët e bardhë që rezultoi në përplasje me kundërprotestuesit.
Trump shkaktoi zemërim kur fillimisht fajësoi të dyja palët për trazirat. Ligjvënës të Partisë Republikane dhe shumë komentues e akuzuan atë se nuk dënoi në mënyrë të veçantë racizmin si diçka te papranueshme. I pyetur nëse komentet e zotit Trump, pasqyronin vlerat amerikane e më pas më konkretisht rreth vlerave të presidentit, kryediplomati u shpreh se kreu i Shtëpisë së Bardhë flet vetë për veten e tij", pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Një ndihmës i Tillerson mohoi të hënën se ky koment përbënte një kritikë ndaj vlerave të Trump, por nuk pranoi ta zbuste komentin. “Vlerat fillojnë nga Kushtetuta", tha për televizionin CNN ndihmësi, i cili nuk dëshiroi të identifikohej.
“Puna e presidentit është t'i mbrojë këto vlera. A bëri ai më të mirën në përgjigje të ngjarjeve në Sharlotsville? Jo. Por kjo nuk do të thotë se Amerika ndryshoi”.-ishin fjalët e tij...Komentet njëri pas tjetrit të bëra nga Tillerson dhe ndihmësi i tij u pritën me habi nga vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë.
Thomas Whalen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit, tha për “Zërin e Amerikës” se deklarata që Kushtetuta dhe jo presidenti flet për vendin "tregon përçmim ndaj stilit autoritar të Trump në menaxhimin e presidencës". Ai i përshkroi fjalët e ndihmësit të Tillerson si "një lamtumirë ndaj Trumpit"./Top Channel
