FRE

F.H.: Maqedonia, vend me pseudo-demokraci

12.06.2014 16:05

Kriza politike dhe kufizimet në pavarësinë e medieve gjatë vitit 2013, kanë rikthyer Maqedoninë në grupin e vendeve me qeverisje në tranzicion ose regjim hibrid…..

Kriza politike dhe kufizimet në pavarësinë e medieve gjatë vitit 2013, kanë rikthyer Maqedoninë në grupin e vendeve me qeverisje në tranzicion ose regjim hibrid.

Në raportin e saj më të fundit me titull “Kombet në Tranzicion 2014”, Organizata prestigjioze “Freedom House” e radhit Maqedoninë dy shkallë më poshtë, ose në grupin e vendeve me demokraci të rreme.

Në tabelën prej shtatë pikësh, ku njëshi përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik, ndërsa shtata më të ulëtin, Maqedonia ka 4 pikë. Sipas FH-së, vendi qëndron më keq në sferën e medieve të pavarura, të cilën organizata “Freedom House” e vlerëson me 5 pikë, në të njëjtin grup me Moldavinë dhe Armeninë.

Sipas FH-së, rënia e vendit në shkallën e respektimit të lirive dhe të drejtave demokratike, i detyrohet në masë të madhe lirisë së shtypit.

Në raport theksohet mënjanimi i gazetarëve nga Galeria e Parlamentit, si dhe arrestimi dhe dënimi i gazetarit Tomislav Kezharovski.

Ligjet e reja për media, sipas FH, janë kontroverse, pasi mundësojnë kontrollin e medieve nga ana e Qeverisë përmes Agjencisë së Medieve.

Në lidhje me qeverisjen kombëtare, kornizën dhe pavarësinë gjyqësore dhe nivelin e korrupsionit, FH-ja e vlerëson vendin me 4.25 pikë. Më mirë qëndron qeverisja lokale, e cila është vlerësuar me 3.75 pikë dhe kushtet në të cilat funksionon shoqëria civile, për të cilën vendi ka marrë 3.25 pikë.

Në grupin e vendeve me demokraci të rreme janë edhe Moldavia, Ukraina, Gjeorgjia, Bosnja dhe Shqipëria, e cila është vlerësuar me 4.18 pikë. Ndërsa Kosova, është përfshirë në grupin e vendeve me regjim gjysmë të konsoliduar autoritar dhe është vlerësuar me 5.14 pikë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)