Maqedoni

Qendra Klinike “Nëna Terezë” në Shkup, vendosen tabela edhe në gjuhën shqipe

29.08.2017 15:19

Shqiptarët të cilët do të kenë nevojë për shërbime mjekësore në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup...

Shqiptarët të cilët do të kenë nevojë për shërbime mjekësore në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup, tani e tutje do ta kenë më të lehtë orientimin, pasi tanimë janë vendosur tabela të reja edhe në gjuhën shqipe. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, theksoi se të gjitha tabela do të jenë në gjuhën maqedonase, shqipe dhe anglishte.
 
“Me urdhrin tim, i cili u dërgua deri te drejtoresha e shërbimeve të përgjithshme, vendosëm tabelat e reja të cilat tani janë në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht. Këtu kemi shumë pacientë të cilët vijnë edhe prej Republikës së Kosovës dhe edhe ata meritojnë të gjinden sa më shpejtë në kuadër të qendrës klinike”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. 
 
“Me vendosjen e tabelave të reja në gjuhën shqipe në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” është bërë një hap i madh për të gjetur rrugën dhe për të pasur një shërbim më cilësor të të gjithë atyre pacientëve shqiptarë që vijnë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, të cilën janë në një numër të madh. Qarkullimi i pacientëve shqiptarë në qendrën klinike nga numri i përgjithshëm ka mbi 30 për qind”,- tha drejtoresha e shërbimeve të përgjithshme të spitalit, Shkodrane Dardhishta.
 
Muajt e ardhshëm gjithashtu është paraparë të rregullohet edhe ndriçimi në tërësi dhe të zëvendësohen të gjitha koshat e plehrave në qarkun e kësaj qendre klinike. Projekti kap vlerën prej 500 mijë denarësh. 
 
Sa i përket vdekjes së trinjakëve të porsalindur në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, ministri i Shëndetësisë, Taravari, tha se komisioni i sapoformuar po e heton rastin dhe nga informacionet paraprake është konstatuar se foshnjat kanë pasur probleme me mushkëritë, por gjithsesi po priten rezultatet përfundimtare për këtë rast, tha ministri. 
 
REXHEP QAMILI