Këshilli i Prokurorëve, Liljana Spasovska u.d. kryeprokurore
Raufi: Liljana Spasovska, shpresë për rastin “Monstra”; Këshilli i prokurorëve, dorëhiqet kryetari, Petar Anevski...

Liljana Spasovska është zgjedhur ushtruese e detyrës së kryeprokurorit deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri nga ana e Kuvendit.
“Në seancën e sotme Këshilli i Prokurorëve Publik ka caktuar ushtrues detyre prokuror publik i Prokurorisë Publike të Maqedonisë dhe ajo është Liljana Spasovska, e cila do të kryen këtë funksion deri në emërimin e prokurorit shtetëror të Maqedonisë”,- deklaroi Petar Anevski nga këshilli i prokurorëve.
Spasovska vjen në vendin e kryeprokurorit të shkarkuar, Marko Zvrëlevskit, dhe do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e prokurorit të ri nga ana e Kuvendit. Spasovska njihet si prokurore publike e angazhuar në rastin “Monstra” në seancat publike të Gjykatës Supreme.
Ajo si prokurore e re në rastin “Monstra”, ku gjashtë persona janë dënuar me burg të përjetshëm, ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor pranë Supremes që të sigurojë nga PPS dëshmitë e shumëpërfolura në opinion që dalin nga përgjimet dhe të zbardh rastin. Në seancën publike të 30 majtit, Spasovska pati kundërshtuar mbylljen e rastit, duke kritikuar kryetarin e Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovskin, se si mund të mbyllet një rast kur e gjithë opinioni është në dijeni se ekzistojnë dëshmi të reja për të njëjtin.
“Nëse qëllimi kryesor i Prokurorisë Publike dhe Gjykatës Supreme është të miratohet vendim i drejtë dhe ligjor në të cilin do ta vërtetojmë të vërtetën, edhe për këtë ngjarje juridiko-penale, që nuk do të thotë se nuk do të vërtetohet vendimi i shkallës së dytë, që të jemi të sigurt duhet t’i kemi të gjitha njohuritë për të cilat edhe ju si opinion jeni të njohur se ekzistojnë për këtë rast. Edhe mua parimi i legalitetit dhe veprimi ligjor në çdo lëndë penale me obligon të kërkoj këtë nga Gjykata Supreme dhe kjo e obligon veçanërisht Gjykatën Supreme si Gjykata më e lartë në vend”,- u shpreh prokurorja, Liljana Spasovska.
Kjo ka zgjuar shpresa te pala mbrojtëse në rastin “Monstra” se pas zgjedhjes së Spasovskës ushtruese e detyrës së kryeprokurores se rasti më shpejtë do të zbardhet.
“Mendoj që tani me këtë prokurore që u zgjodh si ushtruese e detyrës së prokurorisë që mund të presim ndonjë objektivitet, pasi deri më tani prej prokurorisë shtetërore s’kemi pasur asnjë rezultat apo ndonjë angazhim, posaçërisht për rastet e montuara, siç është prioriteti që nuk u dha për rastin “Monstra”, gjykim i cili vijon më 12 shtator. Unë mendoj që kjo prokurore ta vazhdojë deri në fund këtë rast dhe ne avokatët kemi një besim në këtë prokurore. Mendojmë se me një sinkronizim të prokurorisë shtetërore dhe speciale mendoj që mund ta arrijmë rezultatin që më në fund të zbardhet ky rast dhe këta të akuzuar të pafajshëm të dalin nga burgu”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Para seancës së sotme në Këshillin e Prokurorëve është dorëhequr kryetari i Këshilli, Petar Anevski. Ai tha se dorëhiqet për shkaqe personale dhe familjare, por që do të vazhdojë të jetë anëtar i këshillit deri në vitin 2020 kur dhe i mbaron mandati si anëtar. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
