Nisma për reforma në VMRO, udhëheqësia aktuale e izoloi vendin dhe partinë

29.08.2017 16:28

Nisma për reforma në VMRO-DPMNE e ka prezantuar deklaratën e titulluar “VMRO-DPMNE evropiane për Maqedoni evropiane”....

Nisma për reforma në VMRO-DPMNE e ka prezantuar deklaratën e titulluar “VMRO-DPMNE evropiane për Maqedoni evropiane”.

Sipas Aleksandar Mihajllovskit, nga nisma për reforma në VMRO, kjo deklaratë i vendos themelet e VMRO-së të reformuar, e cila do të angazhohet për udhëheqje me përgjegjësi, njerëz dhe shoqëri të lire, liri të shprehjes dhe liri të mediave, ndërtim të kulturës së ligjshmërisë, dialog politik, integrim të vendit në BE dhe NATO, zhvillim ekonomik, zhvillim i arsimit dhe kulturës si dhe komb të shëndoshë.

“Me këtë deklaratë deshëm të bëjmë dallim të qartë ndërmjet politikave të VMRO-së së reformuar të cilat do të sjellin përparim dhe zhvillim të Maqedonisë dhe politikave të udhëheqësisë aktuale të VMRO-DPMNE-së,  të cilat janë të njohura dhe e sollën VMRO-DPMNE-në dhe Maqedoninë në izolim të plotë, politika që ishin në kërkim të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të Maqedonisë. Politika të zgjerimit të propagandës anti-BE dhe anti-NATO, politika të patriotizmit të rrejshëm dhe lajmeve të rrejshme, me qëllim të përhapjes së frikës te qytetarët maqedonas”,- deklaroi Aleksandar Mihajllovski nga Nisma për reforma në VMRO-DPMNE.

Sipas kësaj nisme, nëse VMRO-DPMNE nuk reformohet, asnjëherë nuk do të kthehet në pushtet, pasi liderit partiak i është konfiskuar pasaporta, zhvillohen procedura gjyqësore ndaj tij dhe është izoluar nga faktori ndërkombëtar.

Prandaj me një bagazh të tillë negativ Gruevski nuk ka kapacitet ta udhëheq partinë në zgjedhjet lokale. (Semra Ajeti, TVM2)