Maqedoni
Deputetët i rikthehen punës në Kuvend, në agjendë prokurori dhe Ligji për gjuhët
29.08.2017 17:19
Kuvendi iu rikthye punës, pas pushimit kolektiv, i cili konform Rregullores mund të zgjasë nga 01 deri më 31 gusht...

Propozimi i qeverisë për të shpallë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri është vënë në agjendën e Kuvendit, nga kryeparlamentari Xhaferi, që në seancën e parë pas pushimit, përkatësisht në seancën e 12 të caktuar për më 04 shtator.
“Marrë parasysh që prokurori publik, Marko Zvërlevski, me vendim të Kuvendit të Republikës është shkarkuar nga funksioni prokuror publik i RM-së, Qeveria i propozon Kuvendit që të shpall zgjedhjen e prokurorit publik të RM-së”, – thuhet në propozimin e Qeverisë.
Në seancën e njëjtë parashihet të miratohet edhe propozim vendimi për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Propozohet që Kuvendi të ketë pesë nënkryetarë. Pa zgjedhur kanë mbetur edhe zëvendësit e sekretarit gjeneral të Kuvendit.
Një çështje tjetër me prioritet që pritet të vihet në seancat e para pas pushimit është edhe propozim ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive joshumicë, me të cilin parashihet avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe. Sipas të gjitha gjasave, ky ligj do të vihet për diskutim në seancën e 13-të, të paraparë për më 11 shtator, kur do të shqyrtohen edhe iniciativat për interpelancën e disa ministrave.
Kuvendi do të hap punimet nesër, me mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje mbi Punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim, ku do të shqyrtohen raportet e punës së agjencive përkatëse për vitin 2016.
SHPËTIM NUREDINI
