Botë

Dilema, kush do të formojë qeverinë në Kosovë?

12.06.2014 17:53

Megjithëse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë nuk pritet të shpallet brenda dhjetë ditësh...

Megjithëse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë nuk pritet të shpallet brenda dhjetë ditësh, kur do të mbarojnë të gjitha procedurat e numërimit të të gjitha votave, si të atyre me kusht, po ashtu edhe atyre të ardhura nga mërgata, partitë politike dhe analistët tanimë kanë filluar me kalkulimet se kush do të formojë Qeverinë e re.
 
Opozita tanimë ka arritur marrëveshje për koalicion dhe ka nominuar kandidatin për kryeministër, por PDK, e cila ka fituar shumicën në zgjedhje, pretendon se asaj i takon e drejta për ta krijuar Qeverinë e re. Analisti Muharrem Nitaj thotë se Qeverinë e Kosovës do ta formojë blloku i partive që do të arrijë të ketë shumicën e nevojshme.
 
“Akoma nuk ka përfunduar procesi zgjedhor. Ndërkaq, kush do të qeverisë me Kosovën? Kjo është pothuajse shumë e thjeshtë, me Kosovën do të qeverisë ajo strukturë politike ose ai koalicion i cili do të arrijë të grumbullojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve, do t’ia mundësojnë krijim e Qeverisë të re”, deklaroi analisti Muharrem Nitaj.
 
Por, PDK dhe analist të afërt me të, e kanë vlerësuar si antikushtetuese marrëveshjen e tri partive opozitare për koalicionin qeverisës.
 
Sipas PDK-së, presidentja e Shtetit mund të mandatojë vetëm fituesin e zgjedhjeve për të formuar Qeverinë dhe në asnjë rast një mandatar nga partia e dytë, e tretë e kështu me radhë.
 
Por, ajo se kush do të formojë Qeverinë e re të Kosovës, i nominuari nga opozita, Ramush Haradinaj, apo kryeministri i deritanishëm, Hashim Thaçi, kjo do të dihet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kur edhe mund të vijë në shprehje interpretimi nëse është apo jo kushtetues formimi i Qeverisë nga partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet.
 
Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, pasojnë pesë ditë për ankesa dhe më pas afati 30 ditor për thirrjen e seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës.
 
GYLTENE SINANI