Maqedoni
Mjekët: ndryshimet e temperaturave rikthyen virozat
29.08.2017 18:29
Ndryshimet e temperaturave kanë ndikuar që virozat e stinës të kthehen në një problem serioz për popullatën...

Numri i personave të prekur nga viroza vazhdimisht rritet, ndërkaq fëmijët deri në moshën 5 vjeçare dhe gratë shtatzëna evidentohen si më të ndjeshëm nga këto viroza.
Mjekja, Sufjana Selimi, apelon që ata persona të cilët i vërejnë shenjat e para të virozave të paraqiten menjëherë te mjeku familjar për t’i marrë këshillat e duhura, varësisht nga situatat.
“Ne pacientëve gjithmonë ju kemi preferuar këshilla. Nëse u paraqiten simptomat e para ata na paraqiten në telefon dhe ne u japim këshilla se si duhen të mbrohen mos të përhapet viroza.
Nëse nuk ka ndryshim brenda tre ditëve, atëherë vinë në ordinancat tona e ne shohim a është sëmundje virusale, bakteriale, bëjmë pasqyrën e gjakut, pasqyrën diferenciale, ku aty do të kemi parametrat ku granollocidet do të na tregojnë në çfarë niveli është infeksioni, a është bakterial apo virusal”,- deklaroi mjekja, Sufjana Selimi.
Virozat janë më të rrezikshme momentin kur ato përcillen edhe me sëmundje të tjera kronike, të cilat dinë të jenë edhe vdekjeprurëse.
“Kemi viroza që në stinën e vjeshtës nëse paraqiten kemi problem me organet respiratore, mund të bijë ndonjë pneumoni e cila është edhe vdekjeprurëse tek disa pacientë që kanë ndonjë sëmundje kronike te ata, si te pleqtë, te disa fëmijë me probleme me sistemin kardiovaskular, diabet apo gratë shtatzëna, prandaj duhet me kohë të preventohet kjo virozë, që mos të vijë deri në komplikim, se çon deri në vdekje”,- tha mjekja, Sufjana Selimi.
Vendet e mbyllura kolegiale, si shkollat, çerdhet, apo institucione të tjera, sipas mjekes Selimi, kërkojnë nivel të madh të higjienës, pasi që higjiena është njëra ndër faktorët kryesorë për bartjen e këtyre virozave.
Andaj, apelohet që në mënyrë individuale duart të lahen para dhe pas çdo vakti ushqimor apo prekje të gjërave të zakonshme.
FJOLLA TELAI
