Maqedoni

Rashkovski: padi për administratorët që morën rrogë pa punë

29.08.2017 19:07

Sekretari gjeneral i qeverisë, Dragi Rashkovski, ka demantuar Komisionin anti-korrupsion...

Sekretari gjeneral i qeverisë, Dragi Rashkovski, ka demantuar Komisionin anti-korrupsion, duke bërë të ditur se procedurat disiplinore me shpalljen e zgjedhjeve janë ndërprerë.
 
Ai njëherit ka paralajmëruar procedurë ndaj të gjithë atyre që nuk kanë shkuar në punë nga dy tre-vite dhe kanë marrë rroga.
 
Sipas Rashkovskit, revizioni i brendshëm ka dëshmuar se prej 80 deri në 166 persona janë punësuar nga ish-sekretari i qeverisë dhe nuk kanë shkuar në punë, ndërsa kanë marrë rroga duke dëmtuar buxhetin me 824 mijë euro.
 
Prandaj ai paralajmëroi padi për ish-sekretarin dhe të punësuarit.
 
“Procedura disiplinore që e kam ngritur unë është në kuadër të afateve ligjore. Janë respektuar maksimalisht Ligji për administratën publike dhe Ligji për marrëdhënie pune. Lirisht nëse dikush mendon se është shkelur ndonjë ligj, mund ta kontestojë. Procedura disiplinore është ndërprerë deri në përfundim të zgjedhjeve lokale, në përputhje me nenin 8 B të Ligjin për zgjedhje. Pas përfundimit të zgjedhjeve procedura disiplinore do të vazhdojë. Por, kjo nuk nënkupton se duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve për të ngritur procedurë penale për shkaktimin e dëmit prej 824 mijë euro për pagesën e rrogave të personave që nuk vijnë në punë”,- deklaroi sekretari i qeverisë.