Botë
Koreja e Veriut kërcënon me operacione të tjera në Paqësor
30.08.2017 10:53
Koreja e Veriut thotë se raketa e hedhur mbi Japoni ishte hapi i parë i operacioneve ushtarake në Paqësor...

Koreja e Veriut thotë se raketa e hedhur mbi Japoni ishte hapi i parë i operacioneve ushtarake në Paqësor, duke sinjalizuar kështu planet për më shumë lançime. Media shtetërore përsëriti gjithashtu kërcënimet ndaj ishullit amerikan në paqësor, Guamit, që e quajti një bazë të avancuar për pushtim.
Raketa u hodh të martën dhe përshkoi ishullin verior të Japonisë, Hokaido, duke ndezur alarmin publik para se të binte në det. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar njëzëri Korenë e Veriut për veprimet e saj.
I mbledhur në mbrëmje vonë në Nju Jork, Këshilli e cilësoi hedhjen e raketës mbi Japoni si fyese dhe kërkoi që Koreja e Veriut të ndalojë të gjitha testet. E ndërsa deklarata thoshte se veprimet e regjimit ishin një kërcënim për të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, ajo nuk kërcënonte me sanksione të reja ndaj Penianit.
Rusia dhe Kina thanë se aktiviteti ushtarak amerikan në rajon është pjesërisht fajtor për rritjen e tensioneve dhe kërkuan negociata. Duke mbërritur në Japoni, në një vizitë shtetërore, kryeministrja britanike Theresa May i kërkoi Kinës të bënte më shumë presion mbi Korenë e Veriut, duke thënë se Pekini ka një rol kyç në reagimin ndërkombëtar ndaj provokimit të paprecedentë të Penianit.
Koreja e Veriut, në mënyrë të përsëritur ka kryer testime raketash muajt e fundit, pavarësisht ndalimit nga ana e Kombeve të Bashkuara. Raketa më e fundit, “Hëasong 12” u hodh mëngjesin e së martës nga një vendndodhje në afërsi të Penianit. Ajo fluturoi për rreth 2.700 km, në një lartësi si jo zakonisht të ulët, mbi Hokaido, para se të binte në det pranë brigjeve lindore të Japonisë.
Kjo e fundit ndezi kambanat e alarmit dhe u kërkoi njerëzve në Hokaido të strehoheshin në qendrat e posaçme. Kryeministri Shinzo Abe, më vonë e quajti aktin të paprecedentë, serioz dhe kërcënues./Top Channel
