Botë

Merovci: Sjellja e mediave gjatë fushatës, konform ligjit

12.06.2014 17:58

Raportimi i mediave në Kosovë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare...

Raportimi i mediave në Kosovë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, ka qenë në nivel të lartë dhe komform Ligjit dhe nuk janë vërejtur shkelje dhe parregullsi të mëdha gjatë raportimit, thekson Adnan Merovci, kryetari i Komisionit të Pavarur të Medias në Kosovë. Këto të dhëna sipas Merovcit, janë nga raporti preliminar, ku janë të përfshira të gjitha mediat. 
 
“Mediat në Kosovë kanë pasur një sjellje të pranueshme konform Ligjit, sepse ne jemi kujdestar të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligjit për KPM-në dhe akteve nënligjore të lëshuara nga KMP-ja, që lidhen në raport me mediat karshi procesit zgjedhor. Ka pasur disa shkelje të vogla, të cilat në interkomunikimin tonë i kanë përmirësuar dhe kanë ardhur në pajtueshmëri me legjislacionin që është në fuqi sot, kjo është pa u përfunduar raporti, por nuk presim ndonjë shmangie të madhe nga rregullsia, që vlen për tu theksuar. Ky proces zgjedhor mund të konsiderohet në nivel të lartë dhe të suksesshëm”, deklaroi kryetari i Komisionit të Pavarur të Medias në Kosovë, Adnan Merovci.
 
Merovci, i cili po qëndron në vizitë pune në Agjencinë e Mediave në Maqedoni, tha se kanë për qëllim shkëmbimin e përvojave të digjitalizimit. Digjitalizimi si standard ndërkombëtar në Kosovë, pritet të fillojë të funksionojë që nga viti i ardhshëm. 
 
“Kemi ardhur për të shkëmbyer përvojat rreth digjitalizimit kryesisht dhe ky është një takim ose marrëdhënie e detyrueshme, sepse gjatë digjitalizimit ne duhet t’i harmonizojmë çështjet e frekuencave, që mos të kemi interferencë në zonat kufitare që na rrethojnë. Digjitalizimi në Kosovë është në fazën përfundimtare”, theksoi Merovci.
 
Së shpejti, mes këtyre dy institucioneve rregullative audio-vizuele do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.
 
FLORIJE KAMBERI