Botë

Hjuston, policia në hall me hajdutët, vendos orë policore

30.08.2017 13:15

Zyrtarët e qytetit Hjuston, i cili është përfshirë nga vërshimet, mbrëmë vonë kanë shpallur orë policore për parandalimin e plaçkitjeve...

Zyrtarët e qytetit Hjuston, i cili është përfshirë nga vërshimet, mbrëmë vonë kanë shpallur orë policore për parandalimin e plaçkitjeve në hapësirat e evakuuara, derisa të reshurat e shiut gjatë uraganit Harvey kanë arritur rekord të ri në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara.
 
Ora policore në Hjuston, që është qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara, do të imponohet prej orës 5 të mëngjesit e do të vazhdojë e pakufizuar.
 
“Ne kemi pasur problem me plaçkitje të armatosura, me njerëz me armë. Gjatë orës policore ju nuk mund ta drejtoni makinën e as të jeni në ndonjë vend publik”,- deklaroi shefi i Policisë në Hjuston, Art Acevedo. 
 
Zyrtarët e Hjustonit thonë se po përgatiten për strehimin e përkohshëm të 19 mijë njerëzve, derisa Kryqi i Kuq amerikan tha se 17 mijë njerëz kanë kërkuar strehim. Policia ka bërë të ditur se ka shpëtuar më se 13 mijë persona nga uji i vërshimeve në Hjuston.
 
Autoritetet kanë raportuar për të paktën dhjetë të vdekur nga vërshimet. Gjatë vizitës në rajonin e përfshirë nga vërshimet gjatë ditës së djeshme, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kjo katastrofë ishte “me përmasa epike”.
 
AMIR DURAKU