Anëtarësimi në NATO, Dimitrov: Punojmë për reformat, por nuk varet vetëm nga ne

30.08.2017 15:10

Rruga drejt anëtarësimit në NATO, Bejli: udhëtim ndonjëherë zhgënjyes, por ju mbijetuat; Anëtarësimi në NATO, Gerberajh: proceset e ndryshimeve kërkojnë guxim dhe forcë...

Maqedonia po kthehet në kursin e reformave të nevojshme për anëtarësim në strukturat euroatlantike, tha ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov. Ne po punojmë me përkushtim si brenda dhe jashtë vendit, pasi është e nevojshme që Maqedonia sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s, thotë Dimitrovi, i vetëdijshëm se anëtarësimi nuk varet vetëm nga Maqedonia.

"Anëtarësimi ynë në NATO nuk varet vetëm nga Republika e Maqedonisë. Sipas formulës së Bukureshtit të vitit 2008, varet nga Republika e Greqisë dhe nga ajo se sa shpejt do të arrijmë t’i largojmë kritikat që morëm nga Samiti i Varshavës në fushën e përgjegjësisë, sundimit të ligjit, lirisë së medias etj. Pra, çështja kryesore nuk është aq shumë se kur do bëhemi anëtar, por a duam ne si shoqëri dhe  komb  të forcojmë të ardhmen tonë, të kalojmë një vijë nga e cila nuk do të ketë kthim dhe ku nuk do të pyesim çdo të tretën ditë çfarë do të bëhet me Republikën e Maqedonisë”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Mbështetje anëtarësimit të vendit në NATO përcollën edhe ambasadorët e ShBA-ve dhe Gjermanisë në vend, duke mos harruar të përkujtojnë autoritetet se parësore mbetet zbatimi i reformave prioritare.

"Ne e dimë se udhëtimi juaj në NATO ndonjëherë është zhgënjyes, por ju keni mbijetuar. Këtu është edhe mbështetja e publikut dhe të gjitha bashkësive etnike për anëtarësimin tuaj në NATO. Shpresojmë që ky qëndrim do të vazhdojë, ne ju mbështesim dhe ne shpresojmë se një ditë do të jemi në gjendje t'u mirëpresim si një anëtar i ri i Aleancës",- u shpreh ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.

“Anëtarësimi në NATO, vendit do t’i mundësojë të veprojë në një mjedis të sigurt që të mund t’i përkushtohet agjendës së reformave. Proceset e tilla të ndryshimit dhe transformimit kërkojnë shumë guxim dhe forcë”,- theksoi ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Tomas Norbert – Gerberajh.

Hulumtimet e fundit nga Instituti IRI nga maji i këtij viti tregojnë se 71 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. (Sanije Duraku, TVM2)