Rasti “Lagja e trimave”, Ademi: shembull se si nuk duhet të jetë drejtësia

30.08.2017 15:39

Rasti “Lagja e trimave”, Ademi: Gjykata na i refuzoi të gjitha dëshmitë...

Kanë filluar fjalimet përfundimtare të palës mbrojtëse në rastin “Lagjja e trimave”. Avokatja, Artene Ademi, thotë se ky proces gjyqësor, që nuk u bazua në drejtësi dhe ligje, do të shënojë histori në jurisprudencën e Maqedonisë dhe do të jetë shembull se si në të ardhmen nuk duhet të veprojnë gjykatësit dhe prokurorët.

Vetë fakti që në këtë ngjarje mbetën  të vrarë 18 persona, 42 u lënduan dhe 37 të tjerë u arrestuan, tregon se rasti duhet zbardhur deri në fund, pasi aktualisht në proces nuk janë të përfshirë edhe organizatorët e tij, tha Ademi gjatë fjalës së saj në seancë.

Sipas saj, akuza nuk është e precizuar dhe harmonizuar me provat e siguruara dhe e njëjta kryesisht bazohet në bisedat e përgjuara telefonike, për të cilat asnjëherë nuk u realizua ekspertizë për të identifikuar zërat e personave që dëgjohen në bisedë. Ademi kërkoi lirimin nga akuza për të gjithë të akuzuarit.

“Nëse Prokuroria dhe Gjykata pretendon në këto rrethana të përmbyllë procesin gjyqësor për rastet e dhimbshme të pranverës së vitit 2015, atëherë ne do të kërkojmë rihapjen e seancës kryesore dhe pranimin e të gjitha dëshmive të propozuara të mbrojtjes me qëllim zbulimin e organizatorëve të vërtetë, motivin dhe qëllimin”,- deklaroi avokatja mbrojtëse, Artene Ademi.

Avokatja Ademi akuzon trupin gjykues se përveç fillimit kur la përshtypje se do të jetë i drejtë e i paanshëm, filloi të bëjë të kundërtën sapo avokatët mbrojtës propozuan dëshmi e dëshmitarë, duke mos respektuar kështu parimin e barazisë së armëve juridike.

Është vepruar kundër Ligjit për procedurë penale edhe në momentin kur edhe ne si palë mbrojtëse por edhe të akuzuarit nuk kishim qasje tek dëshmitë e prokurorisë, tha Ademi para trupit gjykues.

Disa nga të akuzuarit e revoltuar sërish, akoma pa filluar seanca gjyqësore lëshuan sallën, duke mos shprehur interes të ndjekin një proces që, sipas tyre, nuk është i drejtë që në fillim, kur në të nuk u përfshinë organizatorët. (Florije Beluli-Kamberi,TVM2)