Maqedoni

Shërbimet inspektuese, Mançevski: Nuk janë mjet për mbushjen e buxhetit

30.08.2017 15:49

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski...

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, ka porositur se shërbimet inspektuese nuk janë mjet për mbushjen e buxhetit shtetëror sa herë që ai zbrazet.
 
Sipas tij, në këto shërbime mungon koordinimi dhe kompetencat shpesh ndërthuren, duke sjellë probleme plotësuese. 
 
“Kemi kaq numër të  madh të inspektorëve dhe në këtë situatë ata duhet të dinë se çfarë bëjnë e të koordinohen mes tyre, dhe para së gjithash  askush nuk duhet ta kuptojë punën e shërbimeve inspektuese si mjet për mbushje të buxhetit. Ky ka qenë problem i madh në të kaluarën, kur kanë munguar para në buxhet janë lëshuar shërbime inspektuese që ai të mbushet. Shërbimet inspektuese duhet të kuptohen vetëm në kontekst të përmirësimit të punës së institucioneve me qëllim që qytetarët të kenë shërbime më të mira",- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.  
 
Kjo ministri po realizon një projekt me IDEAS DePo, të financuar nga USAID-i. Nga kjo organizatë presin përmirësim të shërbimeve inspektuese që  do të kontribuojnë për avancimin e ekonomisë. 
 
“Në tre vitet e ardhshme në këtë projekt do të bashkëpunohet në drejtim të racionalizimit të mjedisit rregullator, duke rritur efikasitetin e shërbimeve të inspektimit dhe duke përmirësuar më tej njohuritë dhe kapacitetet e inspektorëve",- tha përfaqësuesi i USAID-it, Dejvid Ateberi.
 
Projekti është një nga pjesët kyçe në analizën funksionale të administratës publike, të cilën Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës do ta zbatojë në periudhën e ardhshme.
 
GYLTENE SINANI