Maqedoni
Ligji për gjuhën shqipe, Osmani: miratohet para zgjedhjeve lokale; Plani 3-6-9, masat e tremujorit të parë, Osmani: një pjesë janë realizuar, ka edhe ngecje
30.08.2017 16:12
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, edhe njëherë është shprehur optimist se Ligji për gjuhën shqipe...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, edhe njëherë është shprehur optimist se Ligji për gjuhën shqipe do të miratohet para zgjedhjeve lokale. Ai pret që më 13 shtator i njëjti të jetë në seancë plenare.
“Qeveria e ka miratuar ligjin dhe ai është futur në procedurë parlamentare. Informacionet që i kemi ne është se më 13 shtator do të jetë në seancë të parlamentit. Shpresojmë që me konsensus do të miratohet ky ligj për shkak se nënkupton rrumbullakim të një teme të rëndësishme të MO-së edhe pse mbeten çështje të hapura në këtë drejtim për shkak se disa pika janë dërguar për verifikim në Komisionin e Venedikut sa i takon kushtetutshmërisë”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Osmani, ndërkohë, ka prezantuar edhe ecurinë e realizimit të një pjese të masave të parashikuara të planit 3-6-9. Sipas tij, për tremujorin e parë një pjesë e masave janë realizuar, disa ndodhen në zbatim, por ka edhe të tilla që ngecin.
“Në mes të 3 mujorit të parë nga 73 masat e parapara në pjesën 3 të planit 3-6-9 janë realizuar 34 masa, 30 prej tyre janë në proces të realizimit dhe janë në kuadër të afateve të cilat ne si sekretariat ua kemi përcaktuar institucioneve, kurse diku 5 deri në 6 masa janë vonuar dhe jam këtu për t’i thirrur institucionet të cilat janë vonuar në këtë drejtim që të rifokusohen dhe që të mund t’i realizojmë ata në periudhën që vjen”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, qeveria është vonuar në miratimin e vendimit për të pamundësuar shfrytëzimin e resurseve gjatë fushatës zgjedhore teksa ftoi Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme që të dakordohen për kompetencat dhe nevojën për miratimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ai shtoi se ka vonesë edhe në zbatimin e masave për të cilat drejtpërdrejtë është përgjegjës kuvendi e që ka të bëjë me reformat në shërbimet e inteligjencës.
Osmani gjithashtu njoftoi se ka riaktivizuar Komitetin e punës për eurointegrime, i cili ka qenë i themeluar si trup i përhershëm i qeverisë ku bëjnë pjesë përfaqësues të niveleve të ndryshme nga të gjitha dikasteret, ndërsa ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve lidhur me implementimin e reforma si pjesë e planit 3-6-9.
NAIM RAMADANI
