Botë

Sulmohet konsullata turke në Mosul

12.06.2014 18:01

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar sulmet e militantëve islamikë në Irak, të cilët kanë pushtuar dy qytetet e mëdha...

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar sulmet e militantëve islamikë në Irak, të cilët kanë pushtuar dy qytetet e mëdha, Mosul-in dhe Tikrit-in. OKB-ja ka thënë se gjendja humanitare rreth Mosulit, ku deri tani rreth 500 mijë persona kanë braktisur banesat  tyre, ishte e tmerrshme dhe po përkeqësohet çdo moment. 
 
Një grup i AL-Kaedës, ka sulmuar konsullatën turke në Mosul, në pjesën veriore të Irakut. Sipas mediave lokale, grupi islamik ka marrë peng rreth 25 diplomatë, të cilët sipas raportimeve të deritanishme, ishin të izoluar në selinë e një dege të Al-Kaedës në këtë qytet. 
 
Ndërkohë në Ankara, kryeministri Erdogan ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për ngjarjen e ndodhur në Mosul. Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për solidaritet me Irakun në këtë sfidë serioze të sigurisë. 
 
“Jam shokuar në momentin kur dëgjova se terroristët kanë kidnapuar konsullin gjeneral të Turqisë dhe disa diplomatë të tjerë, të cilët punojnë në Mosul. Kjo është totalisht jo e pranueshme. Ftoj Qeverinë e Irakut, vendet e rajonit dhe komunitetin ndërkombëtar të bëjnë krejt çka është e mundur, që të garantohet lirimi i pengjeve dhe dënimi i terroristëve”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.
 
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shprehu shqetësimin për mijëra persona të cilët janë larguar nga 2 qytetet. 
 
Ndërkohë edhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Irak, Marzio Babille, tha se situata në Mosul është alarmante. 
 
NAIM RAMADANI