Aleanca për Shqiptarët mbështet Deharin, Sela: Në Kërçovë, vetëm me listë këshilltarësh
Zgjedhjet lokale 2017, partitë ende taktizojnë me emrat e kandidatëve...

Po ngushtohet gjithnjë e më shumë afati kur partitë duhet të dalin me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe me listat e këshilltarëve. Ende kalkulohet me emrat dhe duket se vetëm në Kërçovë në kampin shqiptar gjërat po qartësohen. Edhe pse insistonte për kandidat të përbashkët, tashmë që BDI vendosi të rikandidojë Deharin për Kërçovën, edhe Aleanca për Shqiptarët do të mbështesë këtë kandidaturë, por gara vazhdon me listat e këshilltarëve.
“Kandidatin të cilin ata e kanë shpallur si kandidat zyrtar për komunën e Kërçovës, strukturat tona do ta mbështesin dhe u bëj apel gjithë shqiptarëve që ta përkrahin atë kandidatur;, mos të udhëhiqen nga teke personale, nga nevoja të ngushta, por të përkrahin kandidatin në komunën e Kërçovës, dhe Kërçova përsëri të ketë kryetar shqiptar, ndërkohë Aleanca do të garojë në Kërçovë me listën e vet për këshilltarë dhe ju bëj thirrje të gjithë kërçovarëve të votojnë Aleancën sa i përket listës së këshilltarëve”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Pjesë e Aleancës për Shqiptarët në këto zgjedhje do të jetë edhe Bashkimi Demokratik Kombëtar i Isni Shaqirit dhe Shoqata Civile “Illyrikum libertas”, dhe sigurisht strukturat e partisë “Uniteti” të cilat kanë vendosur shkrirjen me partinë e Selës. Ende nuk ka një marrëveshje me Lëvizjen “Besa”.
“Ka grupe që po diskutojnë, por ende asgjë konkrete”,- tha Sela.
Edhe partitë e tjera vazhdojnë analizat. Nga BDI, përveç Deharit, zyrtare është edhe kandidatura e Visar Ganiut për në Çair.
Jozyrtarisht edhe Bejta dhe Arifi kërkojnë rikandidim. Në Lëvizjen “Besa” vazhdojnë gjithashtu analizat në kryesinë qendrore për përzgjedhjen e kandidatëve, por gjithashtu edhe për koalicionimet eventuale.
Afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar komunash është 14 shtatori, ndërkohë që fushata zgjedhore fillon më 25 shtator.(Ersan Pajaziti, TVM2)
