Maqedoni

Ndërron jetë foshnja 4 muajshe, KSF: u pranua me infeksion të rëndë

30.08.2017 17:21

Një foshnje 4 muajshe ka ndërruar jetë në Klinikën e ..Fëmijëve në Shkup.

Foshnja ishte nga fshati Negorcë dhe ishte shtruar në Klinikën për kujdes intensiv. Rasti është konfirmuar edhe nga klinika nga e cila thonë se janë bërë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar, por foshnja ishte me infeksion të rëndë. 
 
“Fëmija 4 muajshe është që nga lindja pacient i klinikës sonë. Është diagnostikuar me sindromën multimalformative me komplikime të më tepër organeve. Për momentin është sjellë me infeksion në rrugët e frymëmarrjes. Pas procedurës së pranimit erdhi deri te përkeqësimi i gjendjes. Foshnja menjëherë është transferuar dhe pranuar në repartin për kujdes intensiv dhe terapi, ku është vendosur në respirator”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Katerina Stavriç.
 
VMRO ndërkohë akuzon qeverinë dhe veçanërisht ministrin Taravari për papërgjegjësi, duke e porositur se politikat shëndetësore nuk krijohen në rrjetet sociale. Sipas VMRO-së, ka edhe raste të tjera që fshihen. 
 
“Publikisht pyesim nëse ka rast të regjistruar për vdekjen e një foshnje gjatë transportit nga Ohri në Shkup. A është e vërtetë se pas përpjekjes së pasuksesshme të reanimacionit, një foshnje ndërroi jetë në spitalin e Kërçovës. Kjo është java më tragjike në historinë e shëndetësisë së vendit. 8 fëmijë humbën jetën për shkak të paaftësisë dhe kaosit të shkaktuar nga LSD dhe Taravari”,- tha DAFINA STOJANOSKA nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM përgjigjen se “akuzat dyfytyrëshe të VMRO-së janë përpjekje e dëshpëruar për përfitim në fatkeqësitë e qytetarëve. Kaosi në shëndetësi është krijuar në kohën e qeverisjes së VMRO-së, kur  u ul dinjiteti i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë dhe kushtet në klinika u kthyen në gjendjen që janë sot”.
 
Edhe ministri Taravari, duke shprehur brengosje për vdekjet e foshnjave, thotë se nuk ka shkop magjik që ta përmirësojë menjëherë gjendjen në shëndetësi, por ka këmbëngulje, vullnet dhe vendosshmëri për një shëndetësi më të mirë.
 
Vdekja e fundit është rasti i tretë i vdekjes së foshnjave në vend vetëm në këto dhjetë ditë muaj. Ende priten konkluzionet përfundimtare të komisioneve hetimore për rastet e vdekjes së trinjakëve në Shkup dhe fëmijës 4 vjeçar në Ohër.
 
KALTRINA MAKSUTI