Maqedoni

Festa e Bajramit të Vogël, mbushen tregjet me kurbane

30.08.2017 18:07

Bajrami i vogël po afron dhe tashmë ka filluar si tradicionalisht edhe shitja e kurbaneve në tregje të improvizuara në shumë qytete...

Një treg i tillë i improvizuar është hapur edhe në Shkup. Atje mund të gjeni llojllojshmëri të kafshëve të cilat plotësojnë standardet fetare.
 
Por, për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit në treg ka më shumë vizitorë se sa blerës, pranojnë qytetarët e intervistuar nga TVM2.
 
-“Nuk mund të blej se nuk kam, një pension 10 mijë denarë dhe në xhep i kam vetëm 1.000 denarë. Inshallah e gëzoj Kurban Bajramin me emrin dhe besimin e Zotit, por sot dola vetëm t’i “laj” sytë me këto kurbana”,- u shpreh një qytetar.                              
 
 -“Çmimet e kurbaneve nuk janë aq të larta, por njerëzit nuk kanë aq para për të blerë. Mua personalisht njëherë përnjëherë nuk ma merr mendja të blejë”,- tha një qytetar.      
          
-“Ne vetëm kemi dalë për të shikuar, më vonë e shohim për çfarë kurbani do të përzgjedhim”,- theksoi një qytetar.
 
-“Për këtë Kurban Bajram jam i interesuar të blej 2 dele”,- u shpreh një qytetar.  
 
Edhe shitësit konfirmojnë se shitja e bagëtive për Kurban Bajramin nga viti në vit është duke rënë ndjeshëm. Edhe pse çmimet e bagëtive mbeten të pandryshuara,  ajo që mungon është paraja. 
 
-“Tani për momentin më shumë vizitorë kemi se sa blerës”,- deklaroi një shitës.  
                                                         
-“Çmimet nuk janë aq të larta, çmimet janë normale, por shitje nuk ka”,- u shpreh një qytetar.    
                                        
-“Këtë vit më së shumti kërkohen dhentë dhe deshtë për kurban, por edhe lopët gjithashtu”,- theksoi një qytetar.          
                                                                                                               
-“Në përgjithësi çmimet e kurbaneve këtë vit lëvizin prej 120 euro deri më 250 euro. Deshtë fillojnë prej 120 euro”,- tha një qytetar. 
 
Shitësit në këtë treg në Shkup ankohen se kanë pasur probleme me banorët e zonës përreth për shkak të erës që vjen nga tregu i improvizuar dhe hapësirës që ky treg ka zënë, por banorët e kësaj lagjeje, edhe pse kanë nënshkruar një peticion për largimin e tregut, nuk deshën që të prononcohen para kamerës sonë.
 
Vetëm kërkojnë që tregtarët pas shitjes së kurbaneve të përkujdesen e të pastrojnë hapësirën publike të zënë dhe ta lënë në gjendjen e mëparshme.
 
REXHEP QAMILI